Zgjidhen dilemat e së ardhmes së Enea Koliçit. Portieri i larguar nga Kukësi përpara pjesëmarrjes së skuadrës në Champions, praktikisht e ka vendosur të ardhmen e tij. 32-vjeçari u kthye në Greqi pranë familjes dhe do të vazhdojë karrierën në vendin fqinj.
Aktivizimi do të mbetet në nivele të larta me Apollon Smirnis që po e shqyrton si alternativë dhe firma mendohet se është çështje ditësh. Bëhet fjalë për një prej klubeve më të vjetra në Greqi, i themeluar në vitin 1891 dhe që e ka selinë në Athinë.
Drejtuesit e Apollon Smirnis kërkojnë të mos përsëritin gabimet e sezonit të kaluar, kur luftuan për mbijetesë dhe rrezikuan deri në fund, dhe janë të gatshëm të ndërtojnë një skuadër konkurruese.
Përforcimi do të nisë nga porta, ku nevojitet një portier cilësor dhe që jep garanci. Koliçi është kthyer në kandidati kryesor, sepse përveçse vjen me parametër zero, ai ka luajtur në nivele të larta në Shqipëri, ndërsa e njeh edhe ligën greke, ku më parë ka mbrojtur ngjyrat e Iraklis, Olimpiakos Volos dhe Panserraikos.