Është zhvilluar seminari i parë për sistemin VAR (Video Assistant Referee), i cili është planifikuar të implementohet në kampionatin e Kategorisë Superiore duke filluar nga sezoni 2021-2022. Në këtë aktivitet, që u zhvillua në datat 22-23 shtator 2020 në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, ishin pjesëmarrës arbitrat dhe asistentët e Kategorisë Superiore, të cilët do të jenë në rolin e VAR-it (arbitrat) dhe AVAR-it (asistentët).
Lektorët e këtij seminari ishin Aleksandër Papin, përfaqësues i kompanisë EVS që do të bëjë të mundur implementin e sistemit dhe Mike Van Der Roest, udhëheqës i projektit VAR në FIFA, i cili për arsye të situatës së pandemisë nuk mundi të ishte i pranishëm fizikisht, por leksionin e tij e perzantoi përmes video-konferencës.
Në ditën e parë objekti i seminarit ishte prezantimi për arbitrat i teknologjisë, që është diçka e re për pjesëmarrësit dhe kërkon njohuri në përdorimin e saj.
Në ditën e dytë, instruktori i FIFA-s shpjegoi të gjithë protokollin e sistemit VAR në vendimmarrjet në fushë, gjë të cilën e bëri më të kuptueshme me atë të situatave reale gjatë ndeshjeve të kompeticioneve të FIFA-s, por edhe me anë të pyetësorëve të ndryshëm, përmbajtja e të cilëve ishte e shprehur qartë në protokollin e sistemit VAR, tashmë i përfshirë zyrtarisht në Rregulloren e Lojës.
Pas përfundimit të protokolllit të VAR-it arbitrat/asistentët filluan praktikën përballë pajisjes së VAR simulatorit, duke bërë të mundur marrjen e njohurive të para rreth funksionimit dhe vendimarrjes me anë të teknologjisë.
Ky trajnim do të pasohet nga shumë të tjerë deri në momentin e certifikimit të personave, të cilët do të bëjnë të mundur përdorimin e këtij sistemi në edicionin 2021 – 2022. Në komunitetin e futbollit shqiptar, Enea Jorgji është i certifikuar si arbitër VAR ndërsa Denis Rexha dhe Ridiger Çoka janë certifikuar si AVAR me kurset që ato kanë bërë në dy vitet e fundit pranë UEFA-s.