Në momentin kur ishte në formën më të mirë dhe gjithë besim se historia do të shkruhej, pandemia flak tutje gjithë sezonin fantastik të Kosovës në Ligën e Kombeve. Ndeshja gjysmëfinale me Maqedoninë e Veriut është shtyrë për në datën 8 tetor, ditë në të cilën dardanët shkojnë me ekip të përgjysmuar. Ëndrra e madhe për një vend në Euro 2021 tashmë po duket larg.
Dy nga futbollistët më të rëndësishëm nuk do të jenë në fushë në ndeshjen e jetës. Lacio dha dritën jeshile për Muriqin por FFK ka njoftuar se nuk do të jetë i pranishëm në ndeshjet e tetorit. Pavarësisht dëshirës së madhe nga të dy palët, sulmuesi shtatlartë nuk plotësonte gjendjen e duhur fizike, duke bërë që Kosova të humbi njeriun gol.
Por si për të mos mjaftuar me kaq, dardanët hyjnë në betejë pa kapitenin e tyre. Amir Rrahmani ka rezultuar pozitiv me Covid-19 pas testimeve të kryera te Napoli. Ndërkohë edhe Rashica nuk është pjesë e listës së lojtarëve të grumbulluar. Një treshe që ka merita vërtetë të mëdha për suksesin e deritanishëm dhe që me shumë mundësi do i mungojë shumë në përballjen e madhe kundër Maqedonisë së Veriut./Halit Delibashi-Sport Ekspres/