Luis Enrike nuk i ka shpëtuar dot pyetjeve rreth Kilian Mbapesë në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së parë të Ligën 1. Një gazetar spanjoll e ka pyetur nëse e ndoqi debutimin e Mbapesë me Realin e Madridit, por përgjigja ka qenë negative. Luis Enrike i është kthyer me disa pyetje ironike gazetarit, duke shprehur pakënaqësinë rreth interesit të treguar për largimin e Mbapesë. Megjithatë, trajneri i PSG-së ka folur me fjalë tejet pozitive për sulmuesin francez, të cilin e ka cilësuar si një njeri dhe një lojtar unik. Por nga ana tjetër e ka bërë të qartë se do të donte që ai të humbiste në ballafaqimet që mund të kenë në garat europiane.
“Qenke ende këtu? Këtu do të rrish? Të kanë pëlqyer Lojërat Olimpike, apo jo? Nuk mendoja se do të më pyesje më për Kilianin. Nuk kam çfarë të përgjigjem. Kiliani më ka pëlqyer gjithmonë. Gjithnjë më është dukur një person dhe lojtar unik, i jashtëzakonshëm. E shijova shumë vitin e shkuar me të dhe me vëllain e tij, Etanin, të cilin e përshëndes. I uroj më të mirën atje ku ka shkuar. Në kompeticionet ku do të jetë edhe Reali i Madridit, shpresoj të humbasë kundër nesh”, ka deklaruar Luis Enrike./Halit Delibashi-Sport Ekspres/