Emre Xhan prezantohet: Dua të luaj me Ronaldon!

Juventusi e ka marrë shumë seriozisht në këtë merkato dhe sot ka ardhur dhe prezantimi i radhës. Emre Xhan ka nënshkruar me bardhezinjtë dhe është prezantuar me fanellën e kampionëve të Italisë. Normalisht që në daljen para gazetarëve nuk mund të anashkalonte dhe një koment për mundësinë që ai mund të luajë përkrah Kristiano Ronaldos. Edhe vetë gjermani e shpreh hapur se ai do të preferonte që të luante përkrah portugezit.

Kujtojmë që Xhan është aktivizuar në radhët e Liverpul, para se të kalonte te “Zonja e Vjetër”. Mesfushori pritet që të përftojë një shifër prej 14 milion dollarësh në dy edicionet e ardhshme.

“Unë kisha oferta nga shumë skuadra të mëdha. Zgjodha që të vi tek Juventus sepse mendoj se projekti është i madh. Unë dëshiroj të jem pjesë e këtij projekti”.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu. E di se si luan Juventus, pasi i kam ndjekur në shumë ndeshje sezonin e shkuar. Një nga idhujt e mi, Zidan, i cili ka luajtur gjithashtu këtu. Menaxheri im i parë, kur unë nisa të luaja futboll ka qenë një tifoz i madh i Juventusit. Kur unë isha gjashtë apo shtatë vjeç ai më tha se një ditë unë do të luaja për Juven. Tani jam këtu dhe është një histori shumë interesante”.

“Klubi ka pasur kontakte me agjentin tim për shumë vite. Tani unë e kuptoj se çfarë mentaliteti ka një klub i madh. Ata duan të fitojnë tituj, por dhe unë gjithashtu. Kjo është arsyeja se pse kam ardhur këtu”.

“Mendoj se objektivi i parë është titulli në Seria A dhe më pas Champions League. Unë jam këtu gati për të ndihmuar skuadrën”.

“Probleme me Klop? Jo, unë nuk kam pasur asnjë problem me Klopin. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me të. Në fund ai më uroi më të mirat”.

“A do e doja CR7 te Juve? Për cilindo lojtarë do të ishte mirë që të luajë me Kristiano Ronaldon”, përfundoi Xhan.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *