Emini: Do qëndroja, nëse do të kisha firmosur

Te Shkëndija e gjeti derën e hapur dhe për diçka të tillë është mjaft i lumtur. Izair Emini është rikthyer në “shtëpi”, pasi tashmë ka zbritur në stërvitje me skuadrën e qytetit të tij të lindjes. Për “Sport Ekspres” tetovari ka komentuar daljen në stërvitje me Shkëndijën, teksa falënderon klubin kuqezi për mundësinë që i kanë dhënë: “Po, sot fillova stërvitje me Shkëndijën dhe ata më pritën shumë mirë. Dua t’i falënderoj drejtuesit dhe trajnerin, sepse ma mundësuan të stërvitem deri sa të zgjidhet çështja me Kukësin. Ata nuk duan të më japin lejekalimin”.
Më pas sulmuesi e zhvendos vëmendjen te situata me Kukësin, që në dukej nuk është aspak e qetë: “U mundova si burrat të ndahem miqësisht, por ata nuk duan. Nuk kam asnjë zgjidhje tjetër veçse të vazhdojmë procese gjyqësore. Do të nis ankimim dhe në FSHF, por dhe FIFA”.
Kontrata që pretendon Kukësi, për Eminin është “fantazmë”, pasi nëse do të ishte firmosur nga ai, do të ishte zbatuar. Lojtari shpjegon se arsyeja e largimit të tij nga Kukësi nuk lidhet me anën financiare, por me atë familjare, duke shkuar deri në pikën që të lërë futbollin: “Kukësin unë e kam respektuar deri në fund. Unë nuk jam budalla, pasi po ta kisha firmosur unë atë kontratë nuk do të kërkoja të iki prej atje. Ua kam bërë të qartë se nuk është puna te lekët, por te çështja familjare, sepse nuk dua të shkatërroj familjen. Në fund të fundit do të lë futbollin që të ndihmoj familjen time. Ndaj them se s’ka asgjë më shumë për t’u druajtur, kjo është e gjitha”, përfundon Emini.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *