Dudelange eliminoi Tiranën në turin e parë të Champions League-s, por nuk mundën të kalonin dot Pyunik-un e Armenisë në raundin pasardhës. Tashmë kampionët e Luksemburgut vazhdojnë rrugëtimin europian në një tjetër kompeticion, në Europa League.
Dudelange do të përballet me Malmon në turin e tretë mbrëmjen e së enjtes. Fati i ndeshjes do të jetë në duart e Enea Jorgjit. Arbitri shqiptar do të ndajë drejtësinë në Suedi, ndërsa do të ndihmohet nga Denis Rexha dhe Ridiger Cokaj si arbitra anësorë, si dhe Eldorjan Hamiti në rolin e gjyqtarit të katërt.
Ndërkohë në krye të detyrës do të jenë edhe dy arbitra të tjerë shqiptarë. Genc Nuza do të gjykojë ndeshjen e Conference League-s mes RFS-së dhe Hibernianit, ndërsa Juxhin Xhaja do të jetë arbitër kryesor në sfidën Vikingur Reykjavik-Lech Poznan./Halit Delibashi-Sport Ekspres/