Eliminimi i Kolumbisë nuk i ka pëlqyer aspak Diego Armando Maradonas. Argjentinasi bënte tifo për ekipin amerikano-jugor, pasi u shfaq dhe me fanellën e kombëtares kolumbiane. 57-vjeçari ka sulmuar keq gjyqtarin e takimit dhe vetë FIFA-n për takimin e djeshëm.
“Kolumbia vuajti një vjedhje monumentale. Gjyqtari i takimit që ishte nga Amerika, me siguri njihte rregullat e bejsbollit dhe jo të futbollit. Ai është një hajdut, faullin e bëri Kejn dhe në vend që të jepte vendim pro Kolumbisë, ai dha fuall kundër tyre. Pse nuk kërkoi për ndërhyrjen e VAR-it?”, – u shpreh fillimisht legjenda argjentinase.
Sulmi i tij kundër FIFA-s nuk mbaroi këtu, pasi vazhdoi me fjalë akoma më të ashpra. “Ju duhet që t’i kërkoni falje popullit kolumbian. Gjyqtarët zgjidhen nga Kolina, ky i fundit u propozua nga Infantio, i cili supozohej që të lironte FIFA-n nga korrupsioni dhe hajdutët, por në këtë ndeshje pamë të kundërtën. FIFA është ende e vjetër dhe e kapur”, – tha ndër të tjera Maradona.