Fati apo rastësia nuk kanë të bëjnë. Në eliminimin e Gjermanisë nga Botërori 2018, diçka që ndodhi për herë të parë prej fazës së grupeve, ka patur gabime të dukshme në përzgjedhje, menaxhimin e skuadrës dhe në sjelljen e lojtarëve.
Kjo ishte edhe një prej arsyeve që trajneri Joakim Lëv kërkoi pak kohë përpara se ti komunikonte Federatës Gjermane se dëshironte të vijonte punën në krye të Kombëtares deri në vitin 2022. Trajneri kërkoi të kuptonte se çfarë nuk funksionoi, në mënyrë që të merren masat e nevojshme.
Për shembull, te lojtarët mungoi përqendrimi i duhur. Në botërorin në Rusi “pancerat” nuk u paraqitën si skuadër, por si shumë individë. Menaxheri i ekipit, Oliver Bierhof pranoi se “shumë futbollistë ishin të përqendruar te vetja e tyre…”. Aq sa preferonin lojërat elektronike përpara realitetit në të cilin ndodheshin.
Sipas “Bild”, disa prej lojtarëve të Gjermanisë luanin “playstation” deri në orët e vona të natës. Prej kësaj situate, Bierhof dhe Lëv vendosën të shkëpusnin edhe internetin e hotelit, në mënyrë që futbollistët të mos organizonin ndeshje ndërmjet tyre apo me miqtë që kanë në Gjermani.
Gazeta “Die Welt” fliste për “fëmijë që kishin shkuar me pushime ose në festë të organizuar në shtëpi”, madje shtonte se “kjo Gjermani nuk ishte një skuadër me profesionistë të rritur që u paraqit në Rusi me misionin për të fituar sërish titullin”. Ja përse përfaqësuesja u eliminua për herë të parë në fazën e grupeve. Nuk ishte as rastësi dhe as fat i keq.