Elbasani do të kërkojë me çdo mënyrë që të mbajë vendin e parë në klasifikim, në mënyrë që në fund të edicionit të ngjitet në Kategorinë e Parë. Duhet thënë se ecuria që elbasanasit kanë pasur deri më tani ka qenë një nga më të mirat në histori, pasi shumë rrallë verdheblutë kanë rezultuar një skuadër që shpallej kampione dimri dhe në fund t’ia dilte që të mbante vendin e parë. Fakti që nuk kanë pësuar asnjë humbje ngjall shpresë në kampin elbasanas se e njëjta ecuri do të jetë edhe gjatë fazës së dytë të kampionatit. Për të mos ia lënë çdo gjë rastësisë, në klub po punojnë për të afruar lojtarë në merkato dhe po shihen mundësitë nga ekipet brenda Prefekturës së Elbasanit.
Kjo duket si mundësia më e lehtë dhe më efikase për të bërë afrime, siç kanë qenë rastet e dy lojtarëve të Shkumbinit, Tafani dhe Bullari. Nuk pritet që këta lojtarë të jenë të vetmit, pasi gjatë javës në vazhdim të tjerë lojtarë janë gati për t’iu bashkuar elbasanasve. Por, edhe për këta futbollistë, fillimisht do të qëndrojnë në stërvitje dhe më pas do shihet nëse do të mbahen apo jo.
Fatmir Popja