Elbasani blindohet, Toçi e Stojku firmosin

Verdheblutë konsolidohen në çdo repart dhe afrojnë dy titullarë nga Kategoria e Parë. Skuadra duket e sigurtë drejt rikthimit në të Parën.

Elbasani nuk ka ndërmend të ndalet në merkaton e janarit, teksa ditën e djeshme me skuadrën janë bashkuar edhe dy futbollistë të tjerë. Bëhet fjalë për mesfushorin Mateos Toçi dhe sulmuesin Gerson Stojku, dy ish-lojtarë të klubit të Elbasanit. Me këtë goditje në merkato pritet që Elbasani të zyrtarizojë edhe mbylljen e saj, edhe pse deri në fund gjithçka mund të ndodhë.

Toçi dhe Stojku pritet t’i japin më shumë impuls lojës ofensive në kampin verdheblu, pasi janë dy lojtarë me cilësi të mira dhe që mund t’i bëjnë shumë punë skuadrës në këto momente. Mësohet se lojtarët kanë rënë dakord me drejtuesit dhe mund të quhet e mbyllur çështja e zyrtarizimit për ta, ndaj edhe janë vënë nën urdhrat e teknikut Eriol Merxha. Ndonëse në fillim u mendua se Elbasani do të bënte merkato me pikatore, numri i të afruarve ka shkuar në 6, duke rritur në këtë mënyrë edhe konkurrencën në kampin verdheblu.

Gjithsesi, mbetet për t’u parë edhe mënyra sesi do të ingranohen në skuadër këto afrime, edhe pse pritet që përshtatja të mos jetë shumë e vështirë, për shkak se e njohin ambientin dhe lojën e kësaj skuadre. Ndeshjen e parë për këtë vit elbasanasit do ta kenë me Maliqin në transfertë dhe kjo do të jetë prova e parë e vërtetë për klubin, si edhe lojtarët e afruar gjatë kësaj merkato. Duhet theksuar, se në krahasim me rivalët e Grupit të Jugut, si: Albpetroli apo dhe Orikumi, skuadra verdheblu duket më e avantazhuar në merkato, duke afruar shumë futbollistë, madje edhe titullarë në Kategorinë e Parë në pjesën e parë të sezonit.

Fatmir Popja

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *