Superiorja do të nisi sot maratonën e saj me risinë e madhe të afrimit të Sponsorit për herë të parë dhe njëkohësisht me aplikimin e sistemit VAR. Teuta-Partizani është ndeshja e parë që do të zhvillohet në orën 19:45, mes dy ekipeve që pretendojnë për titullin kampion. Që të dyja këto skuadra nuk e kanë ndërruar trajnerin e tyre, duke mbajtur të njëjtën me sezonin e kaluar.
Kjo tregon se edhe drejtuesit e klubeve shqiptare po piqen, pasi në të shkuarën ishim mësuar me të tjerë trajnerë në kampionat, me të tjerë trajnerë në Europë dhe me të tjerë në sezonin e ri. E në mënyrë paradoksale thuhej se objektivi ishte titulli kampion. Kjo nuk ka ndodhur me Partizanin dhe Teutën e këtij viti.
Por nëse Daja nuk ka lëvizur, thuajse e gjitha baza e të kuqëve nga sezoni i kaluar ka ndryshuar dhe do të kemi emra të rinjë. Për Markun e ardhur nga Lokomotiva e Zagrebit dhe Ergys Kaçen duhet të presim ende, nuk pritet që të luajnë në ditën e sotme. Vetë trajneri Martini u shpreh në konferencën për shtyp se nga Partizani njeh vetëm Ilir Dajën.
Pra, përpara këtij takimi nuk kishte shumë për të analizuar dhe dhënë këshilla lojtarëve karshi kundërshtarit. Vetëm duke njohur paksa filozofinë e lojës së Dajës pasi me emrat e rinj që do të jenë në fushën e lojës, trajnerët do të presin ashtu si edhe tifozët për të parë se çfarë do të ofrohet për ta. Ndërkohë Teuta ka pasur më pak lëvizje se Partizani, por kjo nuk i jep ndonjë favorizm më të madh Dajës që teston për herë të parë në një ndeshje të vërtetë të gjithë afrimet e verës. Për të integruar një futbollist të ri në skuadër kërkohet koha e nevojshme, por trajneri i Partizanit duhet të integrojë të gjithë formacionin në kohë rekord. /Sport Ekspres/