Në konferencën kur zbuloi listën për ndeshjet me Izraelin dhe Skocinë, numri një i stolit kuqezi Kristian Panuçi vuri theksin tek fjala ‘eksperiencë’, ku u bazua më së shumti për zgjedhjet e tij, duke justifikuar dhe mungesat e disa prej lojtarëve të cilët kishin pasur më shumë minuta apo ishim në formë se një pjesë e lojtarëve që ishin thirrur.
Mërgim Mavraj ishte një nga lojtarët e grumbulluar, edhe pse para se të dilte lista nuk e kishte gjetur ende ekipin dhe prej disa kohësh nuk kishte qenë me asnjë skuadër. Një zgjedhje e kryer për të përfituar nga eksperienca e tij, në një moment delikat, apo edhe një tentativë për ta ndihmuar, për të reklamuar disi veten. Nuk u veprua njësoj dhe për Ajetin, por ndërkohë nuk mund të harrohet rasti i Alijit. Edhe mbrojtësi i majtë kur ishte pa ekip kishte besimin e trajnerit, madje luajti në disa ndeshje, me pretekstin që duhej ndihmuar për të gjetur ekip të, por me Mavrajn nuk ndodhi e njëjta gjë.
Në ndeshjen e fundit me Skocinë u besua tek Herdi Prenga, një lojtari i ri me perspektivë, i cili u mundua, por qartësisht ishte si “peshku pa ujë”, në një ekip që nuk e njihte, në një skemë të re dhe nën presion të frikshëm nga Skocia. Panuçi në këtë pikë me siguri gaboi, pasi Mavraj nuk mund të jetë aq i paaftë apo i papërgatitur fizikisht sa të mos ndihmojë për disa minuta Veselin dhe Gjimshitin që po vuanin.
Mavraj e ndihmoi vetë veten, pasi e gjeti ekipin, por a mos kemi dy standarde në këtë pikë? A mos ndoshta e humbi dhe Mavrajn trajneri, edhe pse mund të ketë menduar se vetëm fakti duke e grumbulluar do ishte shenjë e mbështetjes së tij? Ndoshta në grumbullimin e ardhshëm Mavraj nuk do paraqitet fare, ose ndoshta do kalojë gjithçka, por fakt është që Panuçi nuk e ka më në dorë ekipin dhe janë disa lojtarë që nuk po ndihen komodë e të qetë si me De Biazin.