Nga Klaudio Ndreca
Jasir Asani ose siç ne parapëlqejmë ta quajmë ndryshe, Asaninho. Shumë vite të kaluara dhe dukej se ëndrra e këtij lojtari për të zgjedhur Shqipërinë ishte kyçur te një sirtar, çelësat e së cilës ishte hedhur diku në det dhe i kishte marrë uji. Të gjithë e kishim harruar dhe humbur nga radari, derisa në një moment shfaqet Silvinjo. Vërtet ironike që duhej një brazilian për të na lënë të kuptonim se nuk dimë t’i vlerësojmë futbollistët tanë shqiptarë. Menjëherë e grumbullon me Poloninë, por edhe atëherë kishte shumë dyshime. Të shumtë ishin kritikët që mendonin se Asani ishte për nivele të “dorës së dytë”. Pak minuta mjaftuan nga ndeshja me polakët dhe Jasiri vetëm po vallëzonte me topin, po trulloste pafundësisht polakët me driblimet e tij.
Pa mbaruar mirë pjesa e parë, nuk duhej më shumë: “Bast i fituar”. Silvinjo tregoi nuhatje dhe dorën e tij me një lëvizje, Asani u kthye në një lojtar të pëlqyer për tifozët. Pastaj goli me Moldavinë ishte si “qershia mbi tortë”. Pasi ndeshja nuk po zgjidhej dhe moldavët po tërhiqeshin mbrapa gjithmonë e më shumë, e vetmja mënyrë sesi mund të arrihej te goli ishte ajo e Asanit, perla e distancës. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, futbollisti shqiptar na tregon shumëçka rreth mënyrës sesi e përjeton Kombëtaren. E priti aq shumë gjatë ftesën e Shqipërisë, aq sa tani kur i erdhi mundësia mendon ende se është në një ëndërr nga e cila nuk dëshiron të zgjohet. Kur e pyesim nëse do të kishte lindur në një tjetër shtet, si në rastin e Zvicrës, e cila merr pjesë rregullisht në Europian dhe në Botëror, Asani nuk tundohet përsëri: “Do të zgjidhja prapë Shqipërinë”.
“Superiorja e dobët”, AIK “i dobët”, vetëm pak durim”. Kjo do të ishte ironia jote për injorimin e Rejës. Si mund të ndihet italiani kur të sheh nga televizori teksa ti shkëlqen me Shqipërinë?
Nuk mund të gjykoj dikë tjetër. Tani Reja është një histori e kaluar, ju e dini që unë kam pasur gjithmonë kaq shumë dëshirë që të luaj për Shqipërinë. Po, e vërtet që nuk jam ndierë fare mirë që nuk jam ftuar më para. Kam qenë gjithmonë gati dhe tani po shijon ëndrrën e madhe të fëmijërisë që më është realizuar.
E ke shprehur gjithmonë dashurinë për Shqipërinë, edhe kur ishe pranë Maqedonisë së Veriut. Nëse ti Jasir do të ishte një shqiptar i lindur në Zvicër, në një vend që merr pjesë rregullisht për Europian e Botëror, a do ta kishte sërish Shqipërinë si zgjedhje të parë dhe askush tjetër nuk mund të tundonte?
Ta keni të sigurt që askush tjetër nuk mund të më tundonte. Nuk do ta krahasoja me asgjë tjetër në botë atë emocion që të jep fanella e Shqipërisë dhe po ua them realisht këtë. Sikur vetëm njëherë ta veshësh, është ëndërr. Nuk kisha për ta ndërruar me asnjë vend në botë, as me Zvicrën dhe as me ndonjë tjetër, kushdo qoftë ajo.
Kush i jep më shumë emocion Jasirit, një gol i shënuar me Shqipërinë në Air Albania apo seksi?
Normale, një gol me Shqipërinë në Air Albania…
Të gjithë e panë momentin e acarimit të Cikalleshit me ty ndaj Ishujve Faroe. U sqaruat më vonë?
Edhe në familje ka momente keqkuptimesh. Në lojë ka nerva dhe gjithçka ka kaluar. Cikalleshin dhe çdo lojtar tjetër në ekip i kam miq, shkojmë shumë mirë bashkë. Cikalleshi më ndihmon shumë në stërvitje, është shoku im më i mirë.
Disa analistë në Shqipëri kanë pak kritika për ty, mes shumë lavdërimeve që i ke nga të gjithë. Asani nuk pason, si u përgjigjesh?
Kritikat të ndihmojnë për t’u rritur, tani secili bën punën e tij, unë në fushë dhe ata në studio. Rëndësi ka të jenë komente pa tendencë, për të tjerat i pres që të përmirësohem.
Broja dhe Asani në krahë, çfarë mund t’i bëni çekëve dhe polakëve? A duhet t’u themi që të mos dalin fare në fushë nëse jeni të dy në momentin tuaj të artë?
Do t’i bëjmë për “ujë të ftohtë” mbrojtësit e atyre (qesh). Përtej shakasë, nuk duhet të kalojmë në aventurë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Të punojmë dhe të mendojmë njëherë për Çekinë. Pastaj cilësitë e Brojës dihet se kush janë dhe sa ka për të na ndihmuar.
Cili ka qenë mesazhi apo urimi më i bukur që të ka ardhur në telefon pas ndeshjeve me Shqipërinë? Të pëlqen kur të thërrasin Asaninho?
Kam marrë kaq shumë mesazhe në telefon nga gjithë tifozët anembanë botës sa nuk di se kë të zgjedh para. Dua që t’i falënderoj të gjithë, mesazhet e familjes dhe atyre tifozëve shqiptarë më japin fuqi që të mos lodhem kurrë dhe të jap gjithçka në fushë. Asaninho? Sigurisht që të pëlqen kur e dëgjon, kështu më thërret edhe një shok që kam luajtur bashkë me të në Hungari, është nga Brazili, Matheu Leoni. /Sport Ekspres/