Ekskluzive/ “Uzuni “kishte frikë” të shënonte”! Lala nuk e kupton trajnerin: Broja nuk luan për Rejën, por për shqiptarët! I bie që Ronaldo dhe Mesi…

Nga Klaudio Ndreca

Pakkush pretendonte se Shqipëria do të merrte rezultat pozitiv në Wembley, në një kohë që kuqezinjtë nuk ishin me forcat e plota dhe përballeshim me Anglinë që ishte e gjitha e mobilizuar për të fituar. Por nga krahu tjetër, pesë golat e pësuara në pjesën e parë ishin shumë dhe kanë lënë shije të hidhur.

“Sport Ekspres” ka zhvilluar një intervistë me figurën e shquar të Kombëtares, Altin Lalën. Ky i fundit e vlerëson Rejën për gjithçka ka dhënë për Kombëtaren, por si të gjithë të tjerët, nuk e kupton aspak vendimin e tij për të lënë në stol Armando Brojën. “Me këtë logjikë, Ronaldo dhe Mesi duhet të nisnin të luanin futboll nga 22-vjeç”, shprehet mes të tjerash Lala.

Humbja e Shqipërisë ndaj Anglisë është përjetuar keq në vendin tonë. A duhet bërë dramatike?

Mendoj se humbet me Anglinë, por ajo pjesa e parë ishte pak e hidhur për mënyrën sesi u dorëzuam. Pas atij shansi që kishte Uzuni, ishim të dorëzuar. Intensiteti i anglezëve ishte i lartë dhe na erdhën dy lojtarë nga stoli, ikën dy nga baza jonë që ndikoi. Nëse do të kishim ekipin të gjithë, po flas me supozime tani, mendoj se nuk do të kishim humbur me ato shifra. Por gjithsesi pengu ynë është kundër Polonisë, atje e kemi mbyllur shansin e kualifikimit.

Sa gaboi Reja ndaj Anglisë? Është komentuar shumë presingu i bërë në Wembley me 7 lojtarë në zonën e anglezëve…

Taktika i përshtatet lojtarëve. Mund të luash me shumë sisteme të ndryshme dhe mund të funksionojnë, por duhet të funksionojë edhe bashkëpunimi në grup. Nëse e provon, nuk bën gabim. Nëse e sheh keq pas 10 minutash, mund të ndërrosh sistemin, nuk është e thënë që të qëndrosh me atë sistem për 90 minuta, kur e sheh që gjërat po shkojnë keq. Ne nuk kishim se çfarë të humbnim më me Anglinë, por sigurisht që ato 5 gola në 45 minuta të lënë shije të hidhur.

Rasti i humbur i Myrto Uzunit që duket se është shumë i ngarkuar emocionalisht te Kombëtarja, te Ferencvaros e gjen lehtë golin. Cili është mendimi juaj?

Mua m’u duk sikur Uzuni nuk e priti atë rast, u vu re edhe nga mënyra e ekzekutimit. Atë rast mund ta humbin edhe lojtarë të tjerë. E pashë disi me frikë, “kishte frikë” që të bënte golin. Por kjo nuk ia ul vlerën këtij lojtari që punon shumë. Sigurisht që ka diferencë të madhe mes Kombëtares dhe Ferencvaros, është tjetër gjë kur luan në Wembley dhe kur luan në Hungari, Uzuni e sheh dhe vetë këtë gjë. Mund të bënte një hap më tepër para goditjes…

A mund t’ia faturojmë Rei Manajt fajin se përse nuk jemi në vendin e dytë? Ndoshta do të ishte tjetër histori në “Air Albania” sikur të shfrytëzohej ai rast i minutave të para ndaj Polonisë…

Ndeshjet vendosen nga momentet dhe për secilin lojtar që luan për Kombëtaren, duhet të jetë gjithmonë bashkëpunues. Te Kombëtarja nuk luan për të fituar para, por për krenari dhe të mbrosh ngjyrat e kombit. Nuk mund të fajësosh dikë se nuk e dha një pasim, por duhet të japësh më të mirën për të marrë rezultatin. Sado egoist të jesh, nëse e ke shokun e lirë, duhet ta pasosh. Edhe unë vet si lojtar kështu kam qenë, gjithmonë Kombëtarja dhe rezultati është para të gjithave.

Si e vlerëson gjithë këtë rrugëtim. Ishte maksimumi lënia mbrapa e Hungarisë apo mund të arrinim diçka me Poloninë? Ndërkohë Serbia i rrezikoi Botërorin Ronaldos dhe i mori vendin e parë…

Ne e kishim atë shansin në dorë, ndikuan edhe dëmtimet e shumta. Por me Poloninë ishte e mundur që të fitonim edhe me ata që ishim në fushë.

Çështja Armando Broja. Ka fituar zemrat e tifozëve në pak ndeshje. I falen këtij lojtari disa gjëra më tepër sesa shokëve të ekipit?

Jo, nuk është puna me të falur, duhet të jesh i disiplinuar dhe nuk mund të kërkosh asgjë shtesë nga të tjerët. Unë e kam vlerësuar dhe e vlerësoj shumë Rejën si trajner, për të gjitha ato që ka bërë te Shqipëria. Nuk e kuptoj se përse po e lë Brojën në stol. Shembulli ndaj Polonisë, kam qenë edhe vetë në stadium. Të gjithë tifozët po thërrisnin në korr emrin e Brojës. Është shumë absurde, nuk e kuptoj fare këtë vendim. Broja na dha dy fitore, po shënonte gola në Premier League dhe prapë nuk aktivizohet, rri në stol. Është i ri? Po me këtë logjikë, Mesi dhe Ronaldo duhet të nisnin që të luanin futboll nga 22-vjeç.

Ku e sheh problemin e marrëdhënies mes tij dhe trajnerit?

Mua më duket më shumë si një kokëfortësi e Rejës kjo. Më duket se kur të gjithë e kërkojnë Brojën në formacion, Reja thotë me vete: “Do ta fus në lojë, atëherë kur të dua unë”.

Së fundmi është thënë se Broja nuk do të vijë më te Shqipëria, për sa kohë të jetë Reja trajner…

Shumë e gabuar kjo gjë, por shpresoj dhe besoj se janë thashetheme mediatike. Broja duhet të vazhdoj që të rritet dhe duhet të kuptoj se te Kombëtarja janë të gjithë kalimtarë. Kur të vijë te Shqipëria, nuk do të vijë që të luajë për Rejën, do të vijë që të luajë për gjithë shqiptarët që atë e duan aq shumë. Ky është apeli im për Brojën. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online