Ekskluzive/ “Unë çmendem fare kur më thua për Shqipërinë në Botëror”! Rrëfimi i Qazim Laçit: Shyqyr që e kemi Armando Brojën!

Nga Klaudio Ndreca

Nëse Shqipëria do të kalojë në Botëror dhe kërkon të hedhi baza të shëndosha për të ardhmen, duke ruajtur identitetin e saj të vjetër, figura duhet të jetë një dhe e vetme, Qazim Laçi. Përse e themi këtë? Fare e thjeshtë! Në vitet e shkuara Shqipëria është njohur për grintën dhe dëshirën që ka treguar në fushën e lojës. Ndërkohë në periudhën aktuale kemi shumë cilësi, si kurrë më parë.

Por me rritjen e cilësisë vjen edhe problemi tjetër ku futbollistët nisin që të kursehen. Taulant Xhaka është rasti më i fundit, teksa mesfushori kërkon t’i përkushtohet më shumë Bazelit dhe braktis Kombëtaren në finalet më të rëndësishme të tetorit pasi nuk donte të rrezikonte veten. Ky nuk është shembulli i duhur, padyshim. Nga krahu tjetër kemi Qazim Laçin që për ne mund të quhet emblema e kësaj Kombëtare.

Në momentin e himnit i mbyll sytë ashtu si edhe tifozi më i çmendur i Shqipërisë, që nuk kthehet në dhomën e zhveshjes pa e djersitur fanellën deri në atë pikë sa mund të duket si e larë në ujë dhe që kur jep intervistat pas ndeshjes, duket si një fëmijë i lumtur. E gjitha kjo, vetëm e vetëm pasi ka përfaqësuar Shqipërinë. Për këtë arsye “Sport Ekspres” ka zgjedhur që ta intervistojë, ndërsa vetë Laçi do t’i mungojë Kombëtares për shkakun e dëmtimit. Kur i flasim për Shqipërinë në Botëror…çmendet!

Mungesa jote për ndeshjet e Shqipërisë. Është për shkakun e dëmtimit sigurisht, por sa pritet që të qëndrosh larg fushës?

Mungesa ime te Kombëtarja vjen për shkakun e dëmtimit, pritet që të kthehem për 4-6 javë. Por duhet ta shohim sepse mund të rikuperohem edhe pak më shpejtë sesa kjo kohë e përcaktuar.

Ke komunikuar shpesh me Rejën gjatë kësaj kohe?

Jo me Rejën, por me Bulkun. Më shumë për shkakun e gjuhës pasi Reja komunikonte me Bulkun duke u interesuar për mua dhe kështu e kisha më të lehtë.

Sytë mbyllur kur e këndon himnin, e kemi vënë re këtë detaj. Sa shumë e ndien këtë moment para ndeshje?

Po besoj siç do shqiptar që e ndien himnin e vendit të tij, jo vetëm unë brenda fushe. Jemi po si ata tifozë jashtë fushe që e përjetojnë këtë moment.

Fole për tifozët, por tifozëve ua ke fituar dashurinë dhe me intervistat pas ndeshjes mes sinqeritetit të madh dhe lumturisë që ke veshur fanellën kuqezi. E ndien dhe ti ngrohtësinë e tyre?

Është krenari shumë e madhe që të veshësh fanellën e Shqipërisë, ju e dini mirë që në kohën kur unë kam qenë me Shpresat dhe U-17. Është tjetër përjetim, tjetër emocion, komplet tjetër gjë kur vesh fanellën kuqezi sepse po përfaqëson një komb. Duhet të japësh më shumë se maksimumi. E vërtetë që kam marrë shumë mesazhe dhe faleminderit të gjithëve atyre që kanë marrë nga koha e tyre për të më shkruar dhe uruar mua. Nuk e di se çfarë t’ju them më tepër.

Por edhe nga ana sportive, ke vrapuar si një i cmendur në takimet e fundit të Shqipërisë. Të jep një impuls tjetër Kombëtarja nga klubi për të demonstruar vlerat e tua?

Sigurisht që po. Tani jemi në vendin e dytë dhe po flasin të gjithë për ne, e ardhmja është e madhe përpara. Ishalla ia arrijmë qëllimit me Kombëtaren dhe jemi shumë mirë për momentin. Dëmtimi më ka lënë pak mbrapa, do humbas ndeshjet më të rëndësishme të grupit. Për fatin tim të keq nuk jam aty për të dhënë maksimumin. Por Shqipëria nuk ka rezerva dhe titullar, jemi të gjithë në një nivel dhe me ëndrrën e çdo shqiptari, ta shohim veten në Botëror.

Dy ndeshjet e tetorit dhe pikët e plota si detyrim për hir të Botërorit. Është më shumë dëshirë apo mundësi?

E kemi parë veten me Hungarinë. Kjo Kombëtare erdhi nga Europiani dhe ne fituam. Nivelit i ekipit dhe lojtarët që kemi, unë mendoj se do t’i marrim gjashtë pikë ose katër pikë në rastin më të keq, për të qenë ende në lojë. Duke parë gjërat nga afër pasi stërvitem dhe luaj me këtë lojtarë, unë besoj shumë se do ia dalim.

Po Armando Broja si duket në stërvitje, është ylli që i ka munguar Shqipërisë?

Armando është super lojtar, shyqyr që e kemi te Shqipëria se luan në Premier League. Por sigurisht nuk është vetëm Broja që do tërheqi Shqipërinë kemi shumë lojtarë të tjerë, mbrojtës, mesfushor që do shërbejnë Brojën dhe të tjerët. Broja është padiskutim super lojtar dhe ju rikujtoj edhe njëherë moshën që ka.

Le të flasim pak për të ardhmen e Shqipërisë. Sa larg mund të shkojmë me këtë grup?

Shikoni, Reja ia ka dhënë shansin të gjithëve lojtarëve. Tani jemi shumë futbollistë që kemi qenë bashkë edhe te Shpresat, ia njohim mirë lojën njëri-tjetrit. Po nuk u futëm në Botëror në këtë vit, e them pa frikë se në Europian do të jemi super Kombëtare. Por kur e shikon që je në vendin e dytë, ua them shumë sinqerisht dhe nga zemra, kur flasim me njëri-tjetrin te Shqipëria, të gjithë ne futbollistët mendojmë vetëm e vetëm si të kualifikohemi në Botëror dhe asgjë tjetër.

E nëse kalojmë në Botëror, cila do të ishte cmenduria jote më e madhe që do të bëje?

Vetëm kur më thua që do të shkoj në Botëror me Shqipërinë, unë çmendem fare (qesh). /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online