Ekskluzive/ “Tre muskutierët”! Njeriu që afroi Muçin, Çelhakën dhe Ismailgecin tregon paragjykimet brenda Tiranës: Më thonin…i ke të familjes?

Tirana po vazhdon me shitjet e bujshme teksa bardheblutë kanë dërguar edhe prodhimin e dytë te Legia e Varshavës. Bëhej fjalë për Jurgen Çelhakën që ka shkëlqyer në Superiore dhe ka impresionuar opinionin sportiv për ftohtësinë dhe vetë mënyrën sesi luan, pavarësisht moshës së vogël. Ndërkohë më parë ishte Ernest Muçi që e bëri këtë hap të madh, për t’u kthyer në disa ndeshjen si heroi i Legias.

Sigurisht që ambientimi nuk është i lehtë pasi flitet për një skuadër të njohur në Europë dhe që gjendet gjithmonë mes grupeve të “Europa League” dhe “Champions League”. Megjithatë kjo është mundësia e artë dhe vitrina më e mirë për këto produkte shqiptare që të bëjnë lëvizjen e karrierës për të qenë pjesë e 5 kampionateve kryesore në Europë.

Tanimë është radha e Marsel Ismailgecit që pritet të bëjë lëvizjen e tij, për të përmbyllur treshen e talenteve shqiptarë që jo vetëm që shkëlqyen që në moshë të vogël me bardheblutë, por edhe që lëvizën në ekipe të njohura. Por çfarë vuri re ish-drejtori i Tiranës tek “tre muskutierët”, Arbi Laçi, që i besoi që në moshë të vogël? Në një prononcim për “Sport Ekspres”, Laçi shprehet me sinqeritet se ka pasur shumë paragjykime në momentin kur u ka besuar këtyre emrave, madje edhe nga vetë brenda klubit.

“Kur i afruam në skuadër ne ishim në Kategorinë e Parë. Sapo e kisha marrë detyrën si drejtor sportiv dhe po nisnim projektin e ri. Me shumë këmbëngulje kërkova që të firmos me të tre sepse kishin të ardhme të sigurtë. Nuk kishin mbushur 17-vjeç dhe luajtën minutat e para në Kategorinë e Parë. Në verën e rikthimit firmosëm kontratën 3-vjeçare me secilin për të rinovuar sërish. Shumë paragjykime më kanë shoqëruar në atë periudhë edhe brenda klubit, duke mi cilësuar si lojtarë të afërm dhe që ishin pjesë e familjes sime, por asnjëherë nuk hoqa dorë se kisha besim për atë që kisha parë”, tha Laçi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *