Dudelange arriti që të mposhte Tiranën edhe në ndeshjen e dytë për të kaluar në turin tjetër të Champions League. Shumë pritshmëri kishte për përmbysjen e madhe që pritej nga bardheblutë në Air Albania. Humbja e parë iu la stadiumit dhe fushës që ndikoi në rezultat. Ndërkohë trajneri i Dudelanges, Fangueiro, në një prononcim për “Sport Ekspres” i është përgjigjur edhe Orges Shehit. Ky i fundit u shpreh para ndeshjes së stadiumi ndikoi në humbjen e parë të Tiranës, ndërsa Fangueiro i kujton se fusha e Selman Stërmasit është më keq se ajo e Dudelange.
“Nuk kemi pasur frikë për fillimin e ndeshjes dje pasi e dinim që Tirana do të na ushtronte presion me një intensitet të lartë. E dinim që nëse do të qëndronim ende në këmbë në 20 minutat e para, do të mund të bënim diçka. Air Albania? Është një stadium i bukur dhe tifozët shqiptarë bënë shumë zhurmë, siç pritej. Ne nuk kemi mundësi të luajmë në stadiume të tilla në Luksemburg. Kështu që ishte e mahnitshme.
Ne nuk kemi një stadium të ri dhe të madh si stadiumi Air Albania, por në Dudelange, fusha ishte mjaft e mirë për të luajtur një futboll cilësor. Nuk dua t’i komentoj fjalët e Orges Shehit, por patëm mundësinë të stërviteshim në stadiumin e Tiranës dhe mund të konfirmoj se stadiumi i Dudelange është më i mirë sesa i tyre.
Sa i përket Taulant Seferit, është lojtar i madh. U përpoq të mposhte mbrojtësin tonë të majtë dhe ishte i rrezikshëm në pjesnë e parë. Por kur ne kishim topin në kontroll, Seferi kishte më pak mundësi. Një nga pikat më të forta të ekipi tim është shfrytëzimi i goditjeve të këndit. Orges Shehi na ka analizuar mirë për të zbuluar gjithçka nga ne dhe na neutralizoi në shumë raste”, tha Fangueiro. /Sport Ekspres/