Ekskluzive/ Tifozë të Partizanit, hiqjani kapelen Eneo Bitrit! Në Kazakistan e pyetën për pikat e dobëta të Partizanit, po çfarë reagimi nga mbrojtësi…

Nga Klaudio Ndreca

Eneo Bitrin e kemi quajtur gjithmonë si besnikun e përjetshëm të Partizanit. Që në momentin kur mbrojtësi e veshi këtë fanellë, jo vetëm që ka pasur dashuri të madhe për të, por nuk e ka tradhtuar në asnjë moment dhe gjithmonë ka qenë i përkushtuar ndaj saj.

As në kohën kur iku te Astana nuk do ta harronte Partizanin dhe as në këtë periudhë te Ostrava në Çeki, pavarësisht formës që ndodhet. Madje sa herë që merr pushimet dhe vjen në vendin tonë do të shkojë në stadium për të parë Partizanin ose për t’iu bashkuar festës së titullit, si ndodhi në sezonin e shkuar.

Ish-ekipi i tij, Astana, do të përballet me Partizanin. Për këtë arsye në Kazakistan e kanë parë Bitrin si njeriun ideal për të dhënë një koment rreth kësaj ndeshje. “Do të jetë një ndeshje e vështirë për të dyja skuadrat. Është e vështirë të bësh ndonjë parashikim. Taktikisht Partizani është më i fortë se Astana, por Astana ka lojtarë më cilësor. Mendoj se Partizani do të shkojë më tej dhe do të kualifikohet në fazën e grupeve të Conference League”, tha Bitri.

Vërtet për t’u vlerësuar pasi zakonisht ne i servilosemi të huajve dhe në jo pak raste kemi parë lojtarë shqiptarë që e harrojnë origjinën për një moment dhe flasin në favor të të huajve kur kanë luajtur më parë. Por ky nuk është rasti i Eneo Bitrit, që ka shkuar më tej.

Sport Ekspres mëson se një nga pyetjet e gazetarit nga Kazakistani ishte zbulimi i pikave të dobëta dhe të forta të Partizanit, duke ditur që Eneo Bitri ka qenë pjesë e të kuqëve dhe e njeh shumë këtë ambient. Por reagimi i mbrojtësit ishte për notën “10”. Ai ka refuzuar t’i përgjigjet gazetarit duke kërkuar pyetje të tjera pasi komentet e tij do të përdoreshin nga Astana dhe do t’i prishte punë Partizanit në fazën Play Off të Conference League. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *