E bujshme: Peter Pakult lë drejtimin e Kukësit që sot dhe duket e vështirë që Safet Gjici nuk do të bëjë ndonjë kthesë të fuqishme në orët e ardhshme.
Presidenti i Kukësit ka qenë “vullkan” pas barazimit zhgënjyes kundër maltezëve të Valetës në Shkodër dhe nuk e ka përtypur as rezultatin dhe as lojën e dobët të skuadrës së tij, mëson “SportEkspres”.
Sot Gjici i ka bërë “gjyqin” trajnerit, duke i kërkuar llogari për gjithçka dhe duke e fajësuar për faktin se luajti vetëm me Plakun në formacion, duke mos hedhur në fushë asnjë sulmues tjetër.
Pas breshërisë së kritikave, Gjici në nerva e sipër i ka thënë Pakultit që nuk është më trajner i Kukësit.
Natyrisht, nuk ka ende një njoftim nga klubi dhe drejtuesit e klubit po bisedojnë, me drejtorin sportiv Nderim Nexhipi që natyrisht është gjithashtu në qendër të vëmendjes, sepse ai ka një rol të rëndësishëm në klub dhe është njeriu më i afërt i Pakultit, ndaj mund të ketë negociata për të ulur gjakrat dhe për të zgjatur të paktën deri në ndeshjen e kthimit armëpushimin.
Megjithatë, Pakult ka mbetur shumë i zhgënjyer nga ngjarja e sotme dhe e ka treguar edhe në të shkuarën që nuk i duron presidentë të tillë të paduruar, që me një ndeshje djegin punën e gjithë sezonit. Edhe pas eliminimit të hidhur ndaj Sherifit vjet Gjici largoi Gjokën, por aty kishte justifikim eliminimin, ndërsa me Valetën është luajtur vetëm pjesa e parë e sfidës së dyfishtë në Champions.