Ekskluzive/ “Silvinjo ndezi flakën që Reja nuk mundi dot te Shqipëria”! Gazetari Xhepollari tregon se kush mund ta fitojë ndeshjen kundër Polonisë: Muçi ose Uzuni

Shqipëria do të përballet në mbrëmjen e nesërme në Tiranë kundër Polonisë, pas atij barazimi që ne kemi marrë me Çekinë në transfertë. Për të biseduar rreth ndeshjes së zhvilluar në Pragë dhe njëkohësisht përballjes me polakët, Sport Ekspres ka zhvilluar një intervistë me gazetarin e “Ora News”, Drilon Xhepollari.

Ky i fundit tregon fillimisht panoramën e asaj ndeshje të kaluar në Pragë dhe ndryshimin e madh që ka sjellë Silvinjo te Shqipëria, në krahasim me Rejën. “Ndezi flakën që Reja nuk mundi dot”, thotë Xhepollari, duke vendosur theksin te “injektimi” i pasionit dhe ndezjen edhe njëherë tjetër, të dashurisë për fanellën kombëtare.

“Shqipëria u impenjua maksimalisht në Çeki. Ishte vetë kundërshtari që ta imponon lojën të bazuar në kundërsulm. Atë barazim do ta quaj si rezultat shumë të kënaqshëm, të favorshëm, për të forcuar ëndrrën që ne kemi për të shkuar në Euro 2024. Mos të harrojmë se Çekia është më e fort se Polonia. Ka një ekip shumë të mirë, merr pjesë rregullisht në Europian ose Botëror, trajneri i saj ka shumë vite në drejtimin e Kombëtares, ndryshe nga Polonia që ka emra të mëdhenj, por ka shumë probleme brenda tyre. Santos nuk ka arritur që ta mbledh grupin, ndryshe nga Silvinjo.

Ne kur luajmë kundër ekipeve të mëdha, kemi bërë gjithmonë performanca të mira. Kemi mundur Francën në shtëpi dhe njëkohësisht kemi bërë ndeshje të mëdha edhe në Europianin e Francës, kemi gabuar gjithmonë nga episodet. Të jem i sinqertë, e prisja atë performancë të Shqipërisë kundër Çekisë.

E kam parë mënyrë sesi është përgatitur ekipi, stilin, karikimin, energjinë dhe besimin me të cilin u nisën në Pragë. Silvinjo, që kur marrë përsipër Shqipërinë, i ka transmetuar të gjithë idetë e tij te lojtarët. Nëse në kohën e Rejës lojtarët jepnin 70% të tyre, me Silvinjon jep 110%. Ai është motivues i madh dhe i transformon lojtarët. Edhe në intervistat që unë kam pasur, në kohën e Rejës kishim lojtarë të pakënaqur me trajnerin dhe me njëri-tjetrin. Silvinjo ka injektuar një pasion të madh te lojtarët tani, mund të them se ka ndezur flakën që ishte shuar në kohën e Rejës, i ka frymëzuar dhe inspiruar.

Elseid Hysaj? Mendoj se ka dëshirë të madhe për të bërë gjëra që nuk i bën dot, kalon limitet e tij dhe bën gabime. Sepse nuk di sesi ta shpjegoj ndryshe, sesi ky lojtar mund të bëj gabime të këtij niveli të ndeshje “finale”. Jo vetëm në sparkatën e Ismajlit, por ka bërë edhe dy gabime në pasime që ishin shumë të rrezikshme përpara atij momenti. Nuk luan thjeshtë dhe kjo më befason te ky lojtar. Te Lacio, bën gjithmonë të thjeshtën, te Shqipëria bën më të vështirën. Besoj se duhet të ketë disa kritika për të brenda stafit të Kombëtares dhe te ndeshja kundër Polonisë, pres që të aktivizohet Ivan Balliu.

Dua të komplimentoj edhe Ardian Ismajlin për grintën dhe shpirtin, është një ndër lojtarët që flet më shumë me shokët e ekipit, kërkon t’i ketë pranë dhe mbulon gjithmonë hapësirat apo gabimet e tyre. Pra është lojtari që flet dhe me cilësitë e një lideri.

Rasti i humbur nga Daku? Duhet të futemi edhe pak në psikologjinë e lojtarit, është ndeshja e tij e parë debutuese, ka pak ditë me lojtarët dhe nuk i njeh mirë lojën e tyre, janë vështirësitë dhe emocionet e mëdha. E gjitha kjo ndikon, ti ke 100 mendime në kokë dhe ti merr vendimin më të gabuar. Kjo është pjesë e futbollit, mos harroni që lojtarë të mëdhenj kanë humbur finale nga një penallti e gabuar, futbolli është një lojë gabimesh”, tha Xhepollari.

FSHF ka fituar dy beteja deri tani që kanë peshë të madhe, e para kundër Serbisë në CAS dhe e dyta për Nedim Bajramin, që sipas rregullave të para, nuk i lejohej që të luante për Shqipërinë. Sipas Xhepollarit, në një farë mënyre, FSHF i ka dhënë një leksion të madh edhe Qeverisë Shqiptare.

“Nuk mund t’i krahasojmë me njëra-tjetrën. Ajo e fituar kundër Serbisë ishte një punë shumë e mirë e FSHF dhe e juristëve. Dhe fitimi i çështjes me Bajramin tregon se ne kemi fjalën tonë në Europë tanimë, të cilat nuk i shohim në politikë, pasi Qeveria Shqiptare ka humbur shumë gjyqe në gjykata ndërkombëtare, ndërsa FSHF ka arritur të fitojë, edhe me të drejtën me vete sigurisht”, shtoi gazetari.

Por cili është parashikimi i tij për ndeshjen kundër Polonisë? “Unë besoj shumë te ky ekip kombëtar. Polonia vjen e plagosur në Tiranë, dihet se çfarë problematikash ka kjo Kombëtare tani. Do të kemi 22.000 tifozë në shkallët e stadiumit, atmosfera do të jetë e flaktë. Unë mendoj se do të jetë një ndeshje e vendosur nga episodet. Ndoshta do të jetë një ndeshje që mund të zgjidhet nga cilësitë e Mucit nëse Silvinjo do të zgjedh që ta aktivizojë ose nga Myrto Uzuni”, përfundoi Xhepollari. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *