Një festë e madhe e futbollit u organizua në Ajman Park, Shijak. Emisioni “Ora Sport” mbylli sezonin dhe kishte menduar për të mbledhur gjithë komunitetin e sportit në Shqipëri, duke i dhënë më shumë klas finalizimit të gjithë punës së bërë. Mes figurave të njohura ishte edhe Ilir Alliu, ish-lojtari i Kombëtares, që shpreh vlerësimin e tij.
“Larmia e bën këtë emision kaq të veçantë, më të spikaturin. Ka larmishmëri të madhe, jo vetëm për futboll, por për të gjithë sportet e tjera. Ka tema të ndryshme dhe nga pikëpamja profesionale nuk e mërzit kurrë shikuesin, të bën të ndihesh mirë.
Padyshim që kjo është vlerë kryesisht e prezantuesit të saj, Altin Sulçe. Ti nuk përsërit veten në atë emision dhe ndryshe nga të tjerat, që ti shkon në studio 30 herë në muaj dhe thua 30 herë të njëjtën gjë. Padyshim edhe grupit, pjesës tjetër që kontribuon për emisionin Drilon Xhepollari, Dorisa Kecani e gjithë pjesa tjetër. Kjo festë na la shije të mirë të gjithëve”, tha Alliu.
E teksa e pyesim për Kombëtaren para ndeshjes me Moldavinë, Alliu tregon për “Sport Ekspres” se çfarë pret të shoh nga grupi i Silvinjos me një kundërshtar të tillë. “Ne si ekip nuk e kemi shansin as ta mendojmë që të jemi euforik, se kemi diferenca me të tjerët. Ne nuk diferenca cilësore me Moldavinë, kemi vetëm diferenca fizike me ta për shkak të një brezi lojtarësh që janë pjesë e niveleve të larta.
Ata nuk luajnë rregullisht atje, por janë pjesë e saj. Nuk kemi lojtar klasi, por lojtar pune. Nëse ekipe si Shqipëria nuk luajnë në 100% e tyre, atëherë nuk ka shumë diferenca me Moldavinë. Nuk dua ta shoh ndeshjen as me syrin e tifozit, asgjë e tillë. Ti fiton 5-0 dhe nuk të hyn në punë për asgjë.
Unë dua të shoh stilin e lojës së trajnerit, dua që Shqipëria të ketë një stil loje, një fizionomi të sajën. Dua që ne të shkojmë në sulm tre herë në të njëjtën mënyrë pasi në një nga këto tre rastet, topi do të shkojë me patjetër në rrjetë. Uroj me gjithë shpirt që të shënojmë dy gola të shpejt dhe më pas të shohim pak cilësi loje nga Silvinjo”, tha Alliu.
Ish-lojtari i Kombëtares shprehet se Silvinjos ishte zgjedhje e goditur nga presidenti i FSHF, Armand Duka, madje duke thënë se është në dakortësi të plotë me të, si në të paktat herë. Ndërkohë nga krahu tjetër, Alliu tregon problemin më të madh të Shqipërisë.
“Shpresoj shumë te ambicia dhe uria e madhe që ka Silvinjo me Zabaletën për të shkuar larg si trajner, ashtu si kanë qenë si lojtar. Mund të them se është ndër të paktat raste kur unë jam 100% dakort me vendimin e Dukës për të pasur këtë grup trajnerësh, më pëlqejnë.
Shoh një problem te Shqipëria, duhet ta vini re edhe me Moldavinë. Në këtë futboll modern duhet që edhe portieri të luaj mirë me këmbë. Ne në mbrojtje kemi shumë probleme në kontroll topi. Mbrojtësat tanë janë fantastik për të fituar duele, për të thyer aksione, por nuk munden të luajnë me topin në këmbë, e kanë shumë problem. Vuajmë që të ndërtojmë nga pas dhe mesfusha ka më shumë telashe kështu. Uroj që Silvinjo t’i jap një zgjidhe kësaj”, u shpreh Alliu. /Sport Ekspres/