Ekskluzive/ “Reja e ka detyrim, pa justifikime”! Bogdani për Kombëtaren: Mos të krahasohemi me Lituaninë dhe Kazakistanin

Nga Klaudio Ndreca

Kombëtarja e Shqipërisë do të kthehet sërish në fushën e lojës për të mbyllur takimet e Ligës së Kombeve, atje ku do të luajë kundër Kazakistanit dhe Bjellorusisë. Në një grup ku kuqezinjtë ishin favoritët kryesorë për të fituar, situata është bërë e ngatërruar pas rezultateve negative që kemi arritur së fundmi.

Reja kërkon gjashtë pikët e detyruara, por problemi më i madh se vetë kundërshtari është Shqipëria. Pra duhet parë edhe njëherë gjendja e Kombëtares për të kuptuar se çfarë nuk shkon pasi aktualisht kemi futbollistët më të kushtueshëm që kanë qenë ndonjëherë në histori. Por kjo vlerë e madhe në treg nuk po reflekton ende me fanellën e kuqezinjëve.

Një tjetër problem mbetet edhe sulmi, ku shënimi i golit është kthyer në një makth më vete karshi edhe Kombëtareve modeste. Për këtë arsye “Sport Ekspres” ka intervistuar një figurë që hyn te legjendat e Shqipërisë, Erjon Bogdanin, që gjithmonë ka zotëruar “vaksinën”  për t’i dhënë fund kësaj “sëmundje të vjetër” me shpërdorimin e rasteve para portës kundërshtare.

Shqipëria ka aktualisht një nga ekipet më të kushtueshme në treg në historinë e saj. Bogdani, çfarë po e pengon për mbërritjen e rezultateve pozitive në vazhdimësi?

Mendoj se ajo që po e pengon është përqendrimi për t’i luajtur ndeshjet në bazën e nivelin e lojtarëve që ne kemi te Kombëtarja.

Puna e trajnerit Reja deri në këto momente. Të bind për një kulmim që mund të jetë një tjetër kualifikim? Mbërritja në Francë e shtoi oreksin…

Pas Europianit, Kombëtarja jonë është në një moment të turbullt. Sa i përket trajnerit nëse do të arrijmë në vendin e parë në grup mund t’i jepet mundësia për të vazhduar. Edhe pse për këto ndeshje që janë zhvilluar dhe rezultate që janë marrë, përgjegjës janë edhe lojtarët që nuk kanë shfaqur formën më të mirë me Kombëtaren.

Pra vendi i parë në Ligën e Kombeve është detyrimi i Rejës apo mjafton që të fitojmë disa lojtarë dhe të jemi gati për kualifikueset e radhës?

Vendi i parë në Ligën e Kombeve është detyrim për mua dhe nuk duhet të justifikohemi me gjetjen e lojtarëve të rinjë. Siç e përmenda, nuk duhet me futbollistët që ka Shqipëria të krahasohet me Lituaninë, Kazakistanin dhe Bjellorusinë.

Tashmë nuk ka dyshime, sulmi po vuan. Jo vetëm nga statistikat e Kombëtares, por edhe sulmuesit shqiptar në Europë nuk po prodhojnë gola(duke përjashtuar këtu vetëm Brojën). Çfarë zgjidhje mund t’i jepet situatës?

Është e vërtet që sulmi ka vuajtur, por është detyrë e reparteve të tjera që ta mbështesin sa më shumë për t’i zhbllokuar sulmuesit tanë. Gjithashtu edhe trajneri duhet të gjejë alternativa në mënyrë që Kombëtarja të shënojë, sidomos në këto dy takime që na duhet medoemos fitorja.

Armando Sadiku po kalon një moment të vështirë. Dy herë radhazi pa ftesë dhe në Turqi nuk ka ardhur ende ambientimi. Do të kthehet sërish si dikur, për të krijuar golin te Shqipëria edhe nga hiçi?

Po, Sadiku është duke kaluar një moment të vështirë, por duhet t’i japin kohë që të ambientohet në skuadrën e re. Unë kam besim se do të kthehet në Kombëtare më i fortë se kurrë më parë.

Tani vjen ndeshja me Kosovën. Një vëllazërore që në fund ndikon në zgjedhjen e lojtarëve të pavendosur dhe i jep material mediave për të shkruar se kush Kombëtare është më mirë. Ndodhi edhe në miqësoren e fundit që humbëm 0-3. Si e sheh këtë ndeshje?

Ndeshja me Kosovën është thjeshtë miqësore dhe do t’i shërbejë trajnerit që të shohi gjendjen e skuadrës, që më pas të vendosi lojtarët më në formë për Bjellorusinë dhe Kazakistanin. Mendoj se nuk duhet të ketë rëndësi rezultati i kësaj ndeshje dhe nuk duhet të bëjmë garë me Kosovën se kush e ka Kombëtaren më të mirë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online