Nga Klaudio Ndreca
Kristal Abazaj është ndezur dhe Kukësi po fluturon! Verilindorët janë duke fituar dhe pas rikthimit nga pandemia janë kthyer në rrugën e duhur. I gjithë vështrimi është pikërisht tek ky futbollist kur flasim për skuadrën e drejtuar nga Orges Shehi.
Pritshmëritë po përmbushen, sidomos për këto takime që në fakt janë edhe më të rëndësishmet pasi kanë vlerën e një finale të luajtur. Mjafton një gabim i vogël për të “larë duart” me titullin kampion. Por me një Abazaj në super formë, Kukësi nuk po gabon në asgjë. Megjithëse Refik Halilin kanë nisur ta urojnë disa presidentë të Superiores për titullin e parakohshëm, sulmuesi i verilindorët shprehet se objektivi do të provohet deri në momentin që duart do të zgjaten nga Safet Gjici.
Makina e Kukësit është ndezur në rrugën e titullit kampion me shofer Abazajn. Kështu e kemi cilësuar në javët e fundit situatën e Superiore. Do ta parakaloni Tiranën?
Ne jemi duke bërë shumë mirë në këto ndeshje. Ajo që shpresojmë është të vazhdojmë kështu edhe për takimet e tjera që na presin. Sa i përket garës për titull, pse jo që ta provojmë, derisa të matematika të na e lejojnë.
Pas pandemisë kemi parë edhe shpërthimin tënd në fushë. Sa je stërvitur përgjatë asaj kohe, për të qenë në këtë formë?
Jam munduar që të përshtatem me ato kushte që kishim. Ishte një situatë tepër e vështirë dhe e tensionuar. Besoj që deri diku ia kam dalë pasi kam arritur që të stërvitem dhe të mbaj trupin në formë me stërvitje individuale.
Superiorja të ka ofruar një mundësi të dytë për të parë në ekipe të njohura jashtë Shqipërisë. Ke besim në vetvete se këtë herë asgjë nuk do të ikë nga duart, sigurisht edhe me fatin në krahun tënd?
Po stërvitem me 100% tim në çdo ditë. Nuk kam pasur asnjë problem fizikisht dhe po luaj rregullisht. Për këtë jam shumë i lumtur. Normale që kam besim për shansin e dytë sepse ndihem në formën time më të mirë dhe shpresoj të vazhdoj kështu.
Ekziston sadopak mundësia për të vazhduar me Anderlehtin, apo aventura jote e ardhshme do të jetë larg kësaj skuadre?
Le ta shohim se çfarë do të bëhet. Presim të marrim një përgjigje nga Anderlehti në këto kohë dhe të shohim sesi do të vazhdohet. Por deri tani jemi në rrugën e mbarë.
Disa presidentë të Superiores e kanë uruar Halilin për titullin e parakohshëm të Tiranës. Ju jep një shtysë kjo për t’i surprizuar të gjithë?
Deri në momentin që presidenti ynë, Safet Gjici, nuk e ka dhënë akoma dorën kjo do të thotë se ne do e provojmë deri në momentin e fundit. /Sport Ekspres/