Shqipëria do të luajë dy përballje finale në shtator kundër Cekisë dhe Polonisë, që do të vendosin shumë sa i përket kualifikimit në Europian. Sport Ekspres ka zhvilluar një intervistë me ish-futbollistin e Kombëtares, Ilir Alliu.
Alliu e nisi fillimisht intervistën me një këshillë. Ai kërkon që mediat dhe njëkohësisht opinionistët, të mos i japin në këtë moment kritikat për Kombëtaren, pasi do të ndërtonin një ambient jo të mirë përpara dy ndeshjeve që janë finale për Shqipërinë.
“Nëse ne marrim 3 pikë nga këto 2 ndeshje, jemi në rrugën e duhur për të kërkuar me seriozitet kalimin në Europian. Nëse nuk i marrim këto 3 pikë, kualifikimi bëhet i pamundur. Por unë jam plot besim se me angazhimin maksimal, do t’ia dalim. Është koha dhe momenti që të jemi të gjithë bashkë rreth Kombëtares, t’i krijojmë një klimë të mirë që lojtarët të ndihen komod.
Opinionet personale duhet të shkojnë tani të gjitha në mbështetje të Shqipërisë. Kritikat do t’i lëmë për një moment tjetër, jo tani, nuk është e shëndetshme që të krijojmë një atmosferë negative”, tha Alliu.
Nga ana tjetër, ish-lojtari i Kombëtares shtron një tezë të padëgjuar deri më tani. Sipas tij, futbolli nuk është matematikë, por lejon llogaritjen e energjive. Në këtë moment ndeshja për Shqipërinë kundër Polonisë “vlen 6 pikë” si kundërshtar direkt dhe do të ishte e udhës që të “sakrifikohej” Cekia për hir të tentatimit të kualifikimit. Kjo nuk do të thotë që Shqipëria të dalë me humbje nga kjo transfertë, por ndeshjen ku të jap gjithçka për gjithçka ta ruaj në Air Albania.
“Polonia dhe Çekia janë më mirë se ne nga cilësia dhe tradita, por kjo nuk do të thotë se duhet të humbasim, futbolli është i paparshikueshëm. Ka një zgjedhje të vështirë që trajneri nuk e thotë dot. Për mua, Silvinjo duhet të përqendrohet maksimalisht në një nga dy ndeshjet. Se ti mund të shkosh për të bërë një betejë epike si fizikisht dhe psikologjikisht, të bësh ndeshjen e jetës, do të vish pas 3 ditësh me bateri komplet të rëna kundër një Polonie që në ndeshjen e parë luan “miqësore” kundër Ishujve Faroe.
Rreziku është i madh sepse ti kërkon të marrësh pikë maksimale dhe në fund mund të dalësh pa asnjë pikë. Futbolli nuk ka matematikë, por ka llogaritje energjish. Në futboll nuk deklarohet se cilës ndeshje i jep më shumë rëndësi. Ne nuk na intereson 1 pikë në Çeki sa na intereson 3 pikëshi me Poloninë.
Fitorja me Poloninë është nga ato ndeshje që ty të japin 6 pikë, kështu llogaritet, pasi e ke rival direkt dhe nëse ti e mund Poloninë, ne kemi marrë 3 pikë dhe ata nuk i kanë marrë 3 pikët. Llogjika është kjo, ku ti ndihesh më i fortë dhe ti më i fortë ndihesh në fushën tënde. Mund ta shfrytëzojmë në një mënyrë shumë të zgjuar. Unë nuk dua të merrem shumë me pikët, i qëndroj intervistave që kemi dhënë që nga fillimi, dua vetëm që të ruajmë të njëjtën strukturë loje si e kemi pasur me Silvinjon.
Jam i bindur se do të zhvillojmë një ndeshje relativisht të mirë, nuk e kam merak. Kam nja dy tre dilema për vendosjen e lojtarëve. Dua ta shoh pak kurajon e trajnerit në raport me vendosjen e lojtarëve në fushë. Formacioni im ideal? Mes Berishës dhe Strakoshës nuk ka ndonjë dallim të madh, por unë do të zgjidhja Strakoshën. Në mbrojtje do të vendosja Balliu-Ismajli-Gjimshiti-Mitaj. Ramadani duhet të luajë në mënyrë absolute, domosdoshmëri, i rri vendit dhe i del zot. Së bashku me Ramadanin dhe Gjasula, pak më i avancuar Nedim Bajrami dhe treshja sulmuese, Asani-Cikalleshi-Muci”, tha Alliu. /Sport Ekspres/