Ata që e kanë parë në fushë e njohin për shpejtësinë. Për tifozët, Odise Roshi është “raketa kuqezi”. Ata që e njohin nga afër e njohin edhe për shakatë dhe faktin që është gjithmonë i qeshur. Lojtari me më tepër prezenca aktualisht në Kombëtare, nuk e humbet sensin e humorit, edhe në momentin më të vështirë të karrierës, pas operacionit në gju. Ata që e njohin diçka më tepër, e kanë të qartë vullnetin e fort, seriozitetin dhe profesionistin që është Roshi. Për “SportEkspres”, mesfushori flet për dëmtimin, forcën që e ngriti menjëherë në këmbë, faktin që është i përqendruar vetëm të rikuperimi, por… edhe mungesën e Kombëtares, ku do të bëjë tifozin për shokët kuqezi.
Odi, e nisim nga fundi… operacion në gju dhe menjëherë në kembë, diçka e rrallë kjo?
Nuk është e rrallë, sepse shumë lojtarë profesionistë ngrihen në këmbë mbas dy ditësh. Por, kjo nuk ndodh te të gjithë, sepse ka edhe nga ata që e kanë muskulaturën e dobët dhe çohen nga krevati mbas 10 ditësh! Por, unë do ta quaja normale, për aq sa e njoh Odin.
Si ndihesh pas ndërhyrjes, nuk përdor paterica, shëtit përditë dhe ke nisur palestrën?
Për momentin gjurin e kam mirë, eci vetë, pa ndihmën e patericave dhe bëj ushtrime 6 orë në ditë: tre orë paradite dhe tre orë pasdite!
Mjekët çfarë thonë rreth situatës aktuale dhe a ka shpresa që të rikuperohesh më shpejt nga sa u mendua në fillim?
Për momentin mjekët më kanë thënë se e rëndësishme është vazhdimësia e mirë e rikuperimt dhe gjuri të vijë i shëndetshëm. Për rikthimin nuk dua të ngutem dhe mjekët nuk më kanë thënë ende asgjë për afatet.
Tregove se je i fortë fizikisht, por në këto raste, për një lojtar është e rëndësishme edhe ana psikologjike. Si ndihet Odi, duke parë se dëmtimi i rëndë erdhi në një moment kur ishe në formë dhe po luaje rregullisht?
Çdo gjë e kam marrë me pozitivitet, pavarësisht se në fillim u mërzita shumë. Kjo pasi nuk e imagjinoja kurrë një dëmtim të tillë. Por, kur mendoja pak orë më mbrapa, se ka shumë lojtarë, të cilët e kanë pësuar këtë dëmtim nisa të bëhesha shumë i fort: të mendoj vetëm për rikuperimin dhe të kthehem në fushë pa stres.
I trembesh faktit se dëmtimi në gju mund të ndikojë tek e ardhmja, te qëndrimi te Akhmat Grozni, edhe sepse je në vitin e fundit të kontratës apo beson se do të rikthehesh më i fort?
Për kontratën e ardhshme, te klubi ose diku tjetër nuk e mendoj aspak. E rëndësishme për momentin është kthimi në fushë në 100 për qind, të tjerat vijnë vetë pastaj.
Afërmëndsh, keqardhja është e madhe edhe për mungesën në Kombëtare, pasi shumë shpejt nis turneu i ri, Liga e Kombeve…
Do më mungojë Kombëtarja, ekipi, shokët, stërvitjet dhe lojërat, pasi aty ndihesha më mirë se në çdo vend tjetër. Por, do e kaloj shumë shpejt besoj dhe do të jem aty ku mendoj.
Si e parashikon ecurinë e Shqipërisë, ndeshjen e parë e luajmë me Izraelin dhe më pas shkojmë në Skoci?
Kombëtares i uroj shumë suksese në ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe mendoj se skuadra do ta kalojë me sukses grupin!
Vladimir Prenga