Ekskluzive/ “Nuk harrohen sezonet te Partizani”, Dalipi që eliminoi Tiranën: Vuajtëm! Puna dhe durimi ishin “sekreti”

Nga Klaudio Ndreca

Klevis Dalipi është trajneri që për shumë vite punoi në ambientin e klubit të Partizanit, duke e udhëhequr në disa ndeshje “anijen e të kuqëve”. Ishte momenti për të marrë një vendim të ri në karrierën e tij dhe trajneri 44-vjeçar do të largohej nga kryeqyteti, ndërsa sot është pjesë e Korabit.

Surpriza më e madhe në Kupën e Shqipërisë do të vinte pikërisht nga kjo skuadër. Një nga ato befasi që do të mbahen mend deri në fundin e këtij kompeticioni pasi Dalipi me futbollistët e tij eliminuan Tiranën kampione, madje duke luajtur nga minuta e 68 me një lojtar më pak. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, trajneri i Korabit ka dhënë emocionet e para pas ndeshjes.

“Kemi punuar shumë dhe kjo është një meritë e djemëve që më ndjekin dhe arsye për të motivuar futbollistët që të besojnë tek suksesi. Megjithëse ne ishim duke u përballur kundër Tiranës kampione. Kjo është puna dhe durimi që kanë lojtarët, pasi ata lodhen edhe me vërejtjet e mia si trajner i tyre, por puna në stërvitje të dërgon lart. Vuajtëm, por kjo fitore na jep moral që të shkojmë para në kampionat dhe të qëndrojmë me këmbë në kokë, të mos kalojmë në eufori”.

I pyetur nëse ndihet i kënaqur për tronditjen që ka shkaktuar te Tirana, si një ish-pjesëtar i Partizanit, Dalipi e komenton shkurtimisht: “Problemi i tyre. Sa i përket Partizanit, kënaqësi që kam punuar për 6 sezone aty, nuk harrohen kurrë”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *