Ekskluzive/ “Nuk e kuptova si iku atëherë Mazrekaj nga Partizani”! Shpëtim Duro tregon recetën e suksesit të Laçit në Europë: Janë lojtarë me reputacion tani

Sa herë që vijnë ndeshjet e Europës për ekipet shqiptare, mediat gjithmonë janë të prirura për t’i dhënë më shumë jehonë mediatike skuadrave të kryeqytetit. Por vetëm pas pak kohësh, fokusi gjithmonë shkon te Laçi si ekipi i vetëm që mbetet për të ruajtur nderin e Superiores.

Këtë herë kurbinasit kaluan në tjetër nivel kundër Iskras. Që në fillim trajneri Shpëtim Duro u shpreh se Laçi nuk duhej ta diskutonte kalimin e këtij turi. Kështu ndodhi, pas një barazimi me shifrat 0-0 në Shqipëri, kurbinasit tregohen ekip i denjë për të shfaqur stofin e favoritit edhe në fushën e lojës duke fituar në transfertë.

“Sport Ekspres” ka intervistuar trajnerin Duro pas suksesit të kalimit në turin e dytë të Conference League. Një recetë e dhënë për mënyrën sesi mbërrihet kaq larg, teksa thuhet se lojtarët e Laçit tani kanë fituar reputacion dhe eksperiencë në Europë. Kjo pasi ndryshe nga skuadrat e tjera, te Laçi nuk ndryshojnë rrënjësisht pas mbylljes së një sezoni.

Fitorja e arritur kundër Iskras në transfertë. Sa dyshime në vete kishte për kualifikimin pas atij barazimi të parë?

Ne e kishim menduar që ta fitonim atë ndeshje të parë. Pas atij barazimi, sigurisht që çdo gjë ishte e barabartë si për ne dhe Iskran. Ne kishim besim, si ne dhe stafi, por edhe lojtarët që do të bënin më mirë për të kaluar këtë tur.

Nëse zakonisht trajnerët kërkojnë të ulin pritshmëritë, je shprehur që në fillim se Laçi nuk duhet ta diskutojë këtë tur. A është kjo një pikë e re niveli ku ka mbërritur skuadra, për të pasur rolin e favoritit dhe për ta treguar në fushë?

Gjashtë ndeshje ndërkombëtare të sezonit të kaluar kanë ndikuar. Pjesa më e madhe e skuadrës, 70% ishte edhe sezonin e kaluar. Kanë atë reputacionin, besimin, për ndeshje të tilla. Duke pasur parasysh kundërshtarin do të ishim patjetër favorit. Kemi pasur koeficent të lartë dhe ishim një nga ekipet më të mira të Shqipërisë për renditjen në Europë.

Mazrekaj duke përjetuar rininë e dytë. A është një bast që nuk e njeh kurrë humbjen besimi mbi të?

Gjithmonë më bëjnë pyetje për Mazrekajt. Edhe në vitin 2014 kur ka qenë në drejtimin tim Mazrekaj te Partizani në moshën 25-vjeç, ka qenë lojtari më i mirë i Partizanit. Nuk e kuptova pastaj situatën pas largimit tim që si u largua nga Partizani. Më pas nuk po preferohej më as në Kosovë. Është si ka qenë, por tani në një moshë më të pjekur, që stërvitet shumë dhe që ka ndryshuar rregullat e përditshmërisë. Na jep shumë besim si trajner, por edhe skuadrës.

Çfarë mendon se e dallon Laçin mbi ekipet e tjera shqiptare që ka rrugëtim më të suksesshëm në Europë prej disa vitesh?

Nuk mund të bëjë krahasim dhe të flas për ekipet e tjera. Mund të flas për pjesën e Laçit kur unë kam qenë pjesë e saj. Kemi bërë një edicion historik dhe të suksesshëm në verën e kaluar. Tani shpresoj se do të bëjmë të njëjtën gjë dhe do ta përsërisim edhe në këtë sezon. Objektivi ishte kalimi i turit të parë, duhet të shohim sesa larg do të shkojmë, është gjithçka e hapur.

Tani vjen përballja me moldavët e Petrocub. Cila është përshtypja e parë për këtë rival?

Deri tani ende nuk e kam parë kundërshtarin. Nga sot do të fillojmë që t’i ndjekim, sidomos ndeshjet e fundit. Do ta analizojmë me kujdes me stafin, me lojtarët, për të pasur përshtypjet e para. Por besoj se kualifikimi është i mundur, mundësitë do të jenë të barabarta si për Lacin dhe Petrocubin. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *