Mikel Canka është një luks për Kategorinë e Parë si kampionat, pasi ka eksperiencë të madhe dhe cilësi që e dërgojnë këtë futbollist në tjetër nivel. Gjithsesi, dëshira e tij është që në këtë nivel tjetër të shkojë me Lushnjen dhe rruga duket e mbarë.
Kjo skuadër po i bind të gjithë me rezultatet e marra, ndërsa është duke kryesuar kampionatin. Sigurisht që gjithmonë ka vend për përmirësim dhe perfeksioni nuk mund të arrihet. Ajo humbje dhe ato pikët e lëna në Devoll, siç e thotë edhe vetë Canka, do të vazhdojnë “t’i qajnë”.
Por rrugëtimi sapo ka nisur dhe pengjet nuk mund të nisin që tani. Lushnja është kthyer te fitorja ndaj Orikut duke ia dalë me shifrat 2-0 dhe në listën e golashënuesve nuk kishte sesi të mungonte Canka. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, vjen me një rrëfim për mënyrën sesi përjetohet sporti në këtë qytet dhe dëshirën e vetme që ekziston, kalimin në Superiore.
Çfarë nisje për skuadrën tuaj! A ekziston besimi i madh te lojtarët se do të kthehen sezonin e ardhshëm në elitën e futbollit shqiptar, apo ekziston frika për vazhdimësinë?
Kemi krijuar një ekip për pretendent që të ngjitet në Superiore. Këtë po e tregojnë rezultatet e marra deri tani. Ekipi ka shumë besim se do ia dalë deri në fund. Shpresojmë që të jemi të qartë për objektivat tona.
Por ka ardhur një hap i gabuar ndaj Devollit. Çfarë ndodhi saktësisht dhe a nuk mund të merrej më tepër në atë takim?
Eh, dihet që ato pikët kemi për të qarë deri në fund. E kishim gjithçka në kontroll dhe po udhëhiqnim 0-1 me një lojtar mangut. Na u dëmtua Sefa që është pikë referimi në sulm dhe patëm shumë të vështirë që zhvilluam lojën me një lojtarë më pak pas daljes së Mones me të kuq. Devolli është për t’u respektuar si ekip dhe për pak minuta na ikën pikët nga duart. Por le të mos e mbajmë mendjen aty. Duhet të tregojmë vëmendje në 90 minuta loje dhe një ekip i matur, pa nënvlerësuar askënd.
Gjithsesi, jeni rikthyer në krye. A e shihni ekipin të kompletuar apo ka nevojë për ndërhyrje në janar?
Po mos të kishim humbur atë ndeshje me Devollin, do ishim në krye që nga java e parë. Por arritëm sërish që ta marrim kryesimin. Lushnja në Kategorinë e Parë është gjithmonë mes vendin të parë dhe të dyta. Përsa i përket ndërhyrjes në janar, atë e shohin trajnerët se ku ka nevojë ekipi për ndërhyrje. Të gjithë mund të përmirësohen dhe ne mendojmë se mund të futemi në merkato për të marrë ndonjë element që nga forcon edhe më tepër.
Ndërkohë në nivelin më të lartë e ke nisur dhe në aspektin personal. Cili prej golave të ka shijuar më tepër?
Të gjithë sulmuesit dëshirojnë që të shënojnë, në çdo ndeshje. Po ka edhe vështirësitë e saj kjo punë, kur goli të bëhet “makth”. Unë e kam nisur mirë në aspektin personal dhe e kam ndihmuar ekipin sa herë më është dhënë rasti. Shpresoj që të vazhdoj në këtë ritëm dhe të bëj detyrën. Goli që më ka shijuar më shumë? Sigurisht ai ndaj Apolonisë në derbi, se ka qënë afër mbarimit të ndeshjes.
Lushnja ka treguar ndër vite se stadiumi mbushet kur ka rezultate pozitive dhe shpresë nga klubi. Do i shohim sërish të shumtë në numër? Pra, do i sjellë ekipi me rezultatet e arritura në stadium dhe ti japin bukuri Superiores?
Në Lushje vetëm për futbollin flitet. Është një qytet që e do shumë dhe e ndjen këtë sport. Këtë e kanë treguar javë pas jave, pasi kanë qenë prezent nëpër stadium nëse ka rezultate. Do të ketë edhe më tepër. Është një tifozeri që i mungon Superiores dhe kanë dhënë emocione me koreografit e tyre. Shpresojmë të jemi bashkë me ta mes më të mirëve. /Sport Ekspres/