Ekskluzive/ “Ne jemi një gjak”! Intervista e kreut të Federatës Maqedonase të Futbollit: Turpi i Shqipërisë nëse humb finalen, trembem se nuk u sulmua vetëm kreu i FSHF

Nga Klaudio Ndreca

Shqipëria po përjeton temperaturat e ulëta të klimës atmosferike, ndërsa futbolli po përjeton “acarin e politikës”. Vetë kreu i Bashkisë Tiranës, Erion Veliaj, ka vrapuar për të mbledhur votat për një kandidat tjetër dhe për të ndikuar në garë me largimin e Armand Dukës nga kreu i FSHF. “Sport Ekspres” ka intervistuar kreun e Federatës Maqedonase të Futbollit, Muhamed Sejdini, që ka folur rreth ndodhive të fundit në vendin tonë.

Fillimisht i kemi dërguar urimet tona dhe të gjithë shqiptarëve pasi për herë të parë nën drejtimin e një presidenti shqiptar, Maqedonia arriti të kualifikohej në fazën e grupeve të Europianit dhe tanimë është në Play-Off të Botërorit. Kur flitet për finalen në rrezik të Conference League që u caktua për t’u luajtur në Air Albania, nuk ka dyshim, do të ishte turpi i Shqipërisë.

Përshëndetje president dhe na vjen keq që në intervistën e parë tonën, nuk mund të flasim për arritjet tuaja madhore në krye të Federatës Maqedonase të Futbollit. “Pyetja e parë” është thjesht një konstatim dhe urim nga të gjithë shqiptarët për gjithçka keni bërë në këto kohë…

Ju faleminderit për urimin dhe vlerësimet. Pavarësisht se ju rezulton kjo të jetë intervista e parë me ju dhe portalin tuaj, unë e di se na keni mbështetur gjithë kohën, u jeni gëzuar sukseseve dhe arritjeve tona dhe për këtë ju detyrohem për një falenderim të sinqertë.

Duhet të kalojmë me nota të tjera dramatike, por në Shqipëri po jetojmë me këtë “ngricë”. Sulmi ndaj faqes zyrtare të FSHF, ndikimi i pastër politik në zgjedhje dhe së fundmi, tritoli i vendosur në shtëpinë e presidentit Armand Duka. Cila është përshtypja juaj?

Edhe pse mund të ketë njerëz që do të komentojnë në stilin ‘ja ky po mbron homologun e tij’, por megjithatë po të vlerësojmë drejtë ndjenjën dhe mendimin tim do ta ketë gjithsecili. Nuk ka nevojë të jesh mbështetës apo rival me dikënd, për të gjykuar një sulm me mjet eksplodues të një shtëpie të një qytetari qoftë figurë publike apo njeri i thjeshtë. Pastaj këto gjërat tjera që përmendni nuk i bëjnë fare nderë as futbollit shqiptar, as imazhit të vendit e as politikës që megjithatë vlerësoj se duhet të jetë më koshiente se deri ku mund të ndërhyjë.

Ndoshta nuk mjafton kjo hapësirë për të sqaruar atë që mendoj pa lënë hapësirë për keqkuptime, por duhet ta kuptojmë se duke jetuar në këto troje mbase është a pashmangshme për të mos pasur asnjë lidhje me politikën, kuptohet se edhe kjo ka një hapësirë deri ku mund të ndihmojë dhe ndikojë, por asesi të pretendojë të futet direkt në vendim marrje. FIFA dhe UEFA janë decide në këtë drejtim dhe pasojat mund të jenë të mëdha. Tani unë në asnjë moment nuk pretendoj të them se shpërthimi ka lidhje me ndodhitë në lidhje me zgjedhjet në FSHF, por sigurisht se të gjitha bashkë prishin imazhin dhe pozicionin e Shqipërisë para instancave ndërkombëtare.

Në reagimin tuaj në Facebook keni theksuar se më shumë sesa është sulmuar presidenti i FSHF, është sulmuar edhe KE i UEFA-s. A nënkupton kjo një reagim më të ashpër nga Qeveria Europiane e Futbollit?

Sigurisht se po. Në fakt kjo është ajo që më së shumti më tremb. Nuk do themi diçka të re nëse kujtojmë qëndrimet e FIFA-s dhe UEFA-s në lidhje me përzierjen e politikës në futboll. Në fakt, unë personalisht kam përvojë me këtë problematikë dhe di të them se konsekuencat mund të jenë shumë serioze. E qartë se nuk mund krejt të mendojmë njëjtë apo të duam e të na dojë secili, por pavarësisht dëshirave e qëndrimeve tona personale, në fund ka ca rregulla që duhet respektuar në gjëra serioze si puna e futbollit në nivel kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Jemi vetëm 1 muaj larg zgjedhjeve dhe nuk kemi dëgjuar ende asnjë propozim apo projekt nga kandidatët që kërkojnë të marrin vendin e presidentit aktual në FSHF, përpos skandaleve me kryebashkiakun e Tiranës. Sa normale mund të jetë në një periudhë zgjedhore?

Kjo është e keqja në fakt, sepse në vend të joshjes që duhet të pretenduar të opinionit dhe delegatëve me plane, projekte e premtime konkrete, ndodh të shohim gjëra si këto që jetoni ju në Shqipëri këto ditë. Të them se kjo që ndodh s’është normale, ndoshta do të gaboj duke ditur se në rajonin tonë fatkeqësisht janë gjëra që edhe ndodhin, por them mos të shkohet deri në skajshmëri për tu përballur me pasojat, e më pas të kuptojmë seriozitetin e veprimeve të pamatura e të padrejta. Nëse unë jam president i Federatës së Futbollit, kjo nuk nënkupton se Shtëpia e futbollit është e imja dhe unë mund të bëj çka të dua! Pozitën e merr me vota dhe faktikisht detyrohesh ndaj votuesve. E njëjta vlen për një kryebashkiak apo qoftë edhe president i shtetit. Pozita bart përgjegjësi dhe kur je aty gjërat lëvizin vetëm me punë.

Finalja e Conference League rrezikohet seriozisht që të mos zhvillohet në Shqipëri. Sa katastrofale mund të ishte kjo për vendin tonë?

Uroj dhe besoj se nuk do të ndodh diçka e tillë. Ndryshe vetëm ta mendoj më duket skandaloze dhe e turpshme. Do të ishte turp i madh për Shqipërinë në shumë aspekte. Përpara kostos financiare e vendos imazhin e vendit qoftë si shtet para syve të Europës, apo në aspekt të futbollit ku do ishte vetëvrasje. Pastaj edhe aspekti ekonomik nuk është i parëndësishëm, pasi tani mos ekzagjeroj, por në llogaritje të lirë mendoj se finalja e Conference League Tiranës dhe Shqipërisë pritet t’i gjenerojë rreth 80-100 milion euro. E imagjinoni dot se sa humb vendi po u humb kjo finale? Pastaj llogariteni se ky nuk do të ishte ndëshkim i vetëm, sepse në historinë e FIFA-s e UEFA-s nuk është se mungojnë raste të përjashtimit për përzierje të politikës.

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me presidentin aktual të FSHF, Armand Duka, dhe si është fryma e bashkëpunimit tuaj?

Jemi një gjak, jemi vëllezër dhe këtë fakt se ndryshon as nëse quhemi Armando, Agim e Muamed apo Stivi, Bekim e ku ta di unë, të themi Artan. Jemi zgjedhur në këto pozita, jemi me fat që në UEFA jemi tre bashkë, këtu e fus gjithmonë edhe FFK-në dhe mendoj se marrëdhënie të shkëlqyeshme do të kishte kushdo tjetër të ishte në vendin tonë. Prezenca e Dukës në KE të UEFA-së është përparësi e madhe jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë rajonin. Mendoj se nuk duhet të habitemi për marrëdhëniet tona të shkëlqyeshme, pasi që gjykoj se edhe gjithë pasardhësit tanë do të duhet të punojnë me frymën e njëjtë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online