Nga Klaudio Ndreca
Shqipëria do të ndeshet kundër Çekisë në mbrëmjen e nesërme. Kombëtarja e drejtuar nga Silvinjo kërkon të dalë të paktën me një pikë nga kjo transfertë, ndërsa entuziazmi i tifozëve është i madh dhe ata presin që kuqezinjtë të fitojnë në Pragë. Madje nëse do t’u duhej të nënshkruanin për barazimin në këtë moment, të paktë do të ishin ata që do ta firmosnin.
Sport Ekspres ka zhvilluar një intervistë me Jiri Fejgl, një gazetar të njohur nga Çekia. Fejgl tregon se Çekia do ta fitojë ndeshjen me Shqipërinë, por nga ana tjetër shprehet se kuqezinjtë mund të shkojnë në Europian nëse përfitojnë nga problemet që ka Polonia.
“Nuk mendojmë se Shqipëria është një rival i dobët. Ne e dimë shumë mirë se lojtarët tuaj janë pjesë e kampionateve shumë të mira. Trajneri Silhavy e njeh shumë mirë dhe e di rrezikun që vjen nga ju. Dhe unë mendoj të njëjtën gjë. Më kujtohet Igli Tare dikur, ka qenë një yll. Por tani keni më shumë lojtarë mesatar që janë pjesë e Serisë A veçanërisht.
Më duhet ta pranoj se nuk i njoh shumë mirë lojtarët tuaj, por më pëlqen Qazim Laçi për mënyrën sesi luan dhe ka treguar shumë kualitete. Unë mendoj se Shqipëria mund të shkojë në Europianin e 2024.
Ndeshja e nesërme? Cekia është favorite për të fituar në shtëpi, ka më shumë eksperiencë, edhe pse mungon Patrik Schick. Shqipëria mund të përfitojë vetëm nga problemet e Polonisë në këtë moment, pas ndërrimit të trajnerit. Mendoj se Çekia do të fitojë 2-0”, tha Fejgl. /Sport Ekspres/