Ekskluzive/ “Ndodhi ajo që kisha unë frikë”! Alliu analizon Shqipërinë: Nuk duhet të bëjmë “kompromis” barazimi me Poloninë, Silvinjo ka notën 10

Ilir Alliu njihet tashmë për analizat e tij ndryshe dhe të detajuara, që japin një panoramë të qartë të Shqipërisë. Ishte zëri i vetëm që në “Sport Ekspres”, pak ditë më parë, u shpreh se Silvinjo kishte një zgjedhje që nuk mund ta pranonte publikisht. Ish-lojtari i Kombëtares u shpreh se trajneri duhej të zgjidhte mes Cekisë dhe Polonisë.

Pra nëse donte të “bënte kompromis” kundër Cekisë për të mos dhënë maksimumin dhe për t’u ruajtur për Poloninë apo për të tentuar gjithçka në dy takimet, që do të ishte shkatërruese për lojtarët për shkakun e lodhjes së madhe dhe ditëve të pakta në dispozicion. Në fund kjo “zgjedhje” rezultoi e vërtetë pasi u pa qartë se Shqipëria mori një barazim qetësisht në Pragë, pa nxjerrë maksimumin e saj, braziliani mendoi shumë edhe për Poloninë, finalja e parë që të dërgon “zyrtarisht” në Europian.

Një pikë e marrë është shumë e mirë për Alliun, por nga ana tjetër ka një frikë. Sipas tij, pas këtyre vlerësimeve të mëdha për pikën e marrë, Shqipëria mund të kënaqet me një tjetër barazim kundër Polonisë dhe kjo është pikërisht ajo që nuk duhet të ndodhi.

“Shqipëria nuk krijoi shumë raste goli kundër çekëve, pavarësisht topit që kishim në zotërim. Sipas mendimit tim, Silvinjo nuk investua maksimalisht në Ceki për të dalë me tre pikë, kërkonte barazimin. Pashë që disa lojtarë të forcës sulmuese u rezervuan për Poloninë. Përshembull, u aktivizua Seferi në krahë dhe nuk besoj se Seferi u aktivizua për shkak të tipareve të tij sulmuese. Nuk më rezulton kështu sepse nuk i pamë askund, më shumë ndihmoi në mbrojtje edhe për shkak të fizikut të tij.

E parë kështu, skema funksionoi me sukses. Ne nuk krijuam, por nga ana tjetër edhe nuk u rrezikuam. Cekia nuk është se bëri ndonjë gjë të madhe në prapavijën tonë, 2-3 raste të rrezikshme kishin.

Ne e kemi nisur me presing të lartë dhe qarkullim topi në prapavijë. U pa qartë se përmes kontrollit të topit, që niste nga vija e mbrojtjes dhe fakti që ne nuk u çorientuam në asnjë moment duke mos “ngrënë” presionin e kundërshtarit, kjo e befasoi tërësisht Çekinë që filloi të na shihte me sy tjetër. Presingu fillestar ishte një taktikë e momentit e Silvinjos, se nuk ishte 90 minuta.

Por presingu fillestar ishte një zgjedhje e tij për të mos i lënë çekët që ta bënin ne presing në gjysmëfushën tonë. Në 10 minutat e para zgjodhi që të luante me mbulim një kundër një. Në ndeshje të tilla është e ditur që në 15 minutat e para, ekipi vendas do të bëjë gjithmonë presing lart për të marrë topin dhe për të nxjerrë golin sa më shpejt.

Duke e ditur këtë, Silvinjo bëri që Shqipëria të godiste Cekinë me armën që në fakt duhej të ishte e tyre. Kjo lëvizje befasoi çekët pasi merrnin topin kishin presion dhe mbulim 1 kundër 1 dhe ne po e qarkullonim topin me shumë dinjitet, pa u lëkundur, duke i marrë kontrollin. Duhet të mos harrojmë se kjo pikë është një objektiv i madh i arritur. Shqipëria i ka kapacitet për ta mundur Çekinë me një ndeshje muaji, pra jo si tani ku kishim dy ndeshje brenda pak ditësh, besoj se Shqipëria fiton.

Teknikisht ne kemi lojtarë më të mira se ata. Pastaj nëse investohemi në maksimumin tonë dhe i përgjigjemi Cekisë në stilin e tyre të lojës sic ndodhi në Pragë, ata dorëzohen sepse nuk kanë sesi të na përgjigjen, nuk kanë më armë të tjera. Nuk ka lojtarë si Polonia që ka dy-tre elemente që mund ta bëjnë dëmin edhe individualisht, që ta nxjerrin golin nga hiçi.

Por ndodhi ajo që unë kisha frikë. Ne kemi bërë shumë mirë që kemi marrë një pikë në Çeki, por kjo pika që morëm mund të “na prish punë”. Me ato që unë lexoj dhe shoh, tani edhe një barazim me Poloninë quhet rezultat i mirë. Pra nëse ne do të humbisnim me çekët, duhej me patjetër fitorja kundër polakëve ose në të kundërt, do të quhej dështim për Silvinjon.

Por tani me këtë pikë që ne kemi marrë në Çeki, edhe një pikë kundër Polonisë do të quhet rezultat i mirë se na mban në lojë. Jo, ne duhet ta fitojmë atë ndeshje. Polonia vjen nga momenti më i keq dhe Shqipëria është në momentin më të mirë. Për më tepër pashë që në ndeshjen ndaj Çekisë ishin disa lojtarë që u rezervuan enkas për Poloninë. Ky ekip është i çorientuar dhe ne nuk duhet t’i lëmë as kohë që të mendohet. Unë jam fanatik i 3 pikëve kundër Polonisë, nuk dua të hyjmë për barazim.

Rasti i Hysajt në topin e humbur? Falë Zotit që ishte një nga arbitrat më të mirë në botë, që ka autoritet dhe nuk ha presionin e publikut. Nëse do të ishte një arbitër pa shumë autoritet, loja do të vijonte normalisht. Në rastin më të keq, Cekia do të shënonte gol. Në rastin më pak të keq, do të na nxirrte Ardian Ismajlin me karton të kuq.

Ti ke kohën për ta larguar atë topin dhe në fund nuk arrin të mbrosh dot topin tënd, çfarë prisnin t’i shpjegoj më këtij rasti? Këtu është përgjegjësi e Silvinjos. Kur një lojtar ka tre ndeshje që luan nënivel, kur ti e di që një ndeshje e tillë do të vendoset nga një episod, luan me Hysajn. Kështu e shënuam edhe ne golin, nga një episod ku Asani mori topin dhe Bajrami shënoi. Jasir Asani ishte i vetmi lojtar që frymëzoi sulmin dje. Ishte i vetmi lojtar që ti mund të prisje që Shqipëria të rrezikonte portën kundërshtare.

Për habinë time, Jasir Asani ishte lojtari më i mirë i ndeshjes kundër Çekisë. Silvinjo për mua meriton notën 10. Ne kemi pasur të njëjtin kontingjent lojtarësh edhe më parë, por nuk kishim as rezultat edhe as lojë, si i kemi sot. Për më tepër Silvinjo është fanatik i mbajtjes së topit që i heq mundësinë kundërshtarit të godasi”, tha Alliu. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *