Ekskluzive/ “Ndien dhimbje, shtrëngo dhëmbët dhe futu me forcë”! Altin Lala shpërthen: Lojtarët e Shqipërisë mu dukën si piketa, nuk fituan një dyluftim

Nga Klaudio Ndreca

Altin Lala ka komentuar në “Sport Ekspres” dy ndeshjet e fundit të Shqipërisë në Ligën e Kombeve, kundër Islandës dhe Israelit. Legjenda e Kombëtares ka mbetur i habitur nga mungesa e dëshirës dhe impenjimit që u tregua nga lojtarët kuqezinjtë në dyluftimet kundër israelitëve. Madje Lala nuk ngurron të shprehet se për një moment futbollistët tanë dukeshin si të ishin “piketa” në fushën e lojës. “Ky është momenti kur t’i ndien dhimbje, shtrëngon dhëmbët dhe bën një vrapim të fundit pasi kundërshtari të ka marrë përpara”, thotë mes të tjerash Lala.

Altin, me pak fjalë, si do ta cilësoje performancën e Shqipërisë në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve?

Me shumë dritë-hije ishin këto dy ndeshje. Mund ta fitonim takimin me Islandën, por prapë ishte mirë edhe një pikë në atë transfertë. Ajo që dhemb më shumë ishte humbja dje. Pjesën e parë ndaj Israelit e luajtëm mirë, por prapë nuk kishim strukturë loje, qartësi, si në fazën me top dhe pa top edhe në pjesën e parë. Pastaj pjesa e dytë ishte histori tjetër, doli loja jashtë kontrollit. Futbollistët tanë ishin shumë larg kundërshtarit në hapësirë. Israelitët ishin shumë agresiv, ndërsa ne kur futeshim në dyluftime, dukej sikur ishte sa për alibi që po futemi. Minimumi, duhet të luftosh dyluftimet. Më ka ndodhur edhe mua në Gjermani, në momentin kur kundërshtari të merr para dhe ndeshja të ka dalë komplet nga duart, e vetmja gjë që t’i duhet të bësh është që të përdorësh forcën. Mungoi Gjasula, për mua rregullon shumë në mesfushë dhe di të nxjerrë topin. Mund të hiqej kushdo për Asllanin dhe Bajramin, por jo Gjasula.

Si mund të shpjegohet fakti se lojtarët nuk po përballojnë dot rendimentin fizik për më shumë se 45 minuta kur të gjithë luajnë në ekipe elitare të Europës?

Po, vërtet luajnë në ekipe profesioniste, por është fundi i kampionatit tani. Sigurisht, fundi i kampionatit është edhe për lojtarët e Israelit. Është çështje mentaliteti. Kjo është kohë kur ty të dhembin këmbët, ndien dhimbje, duhet të kafshosh veten me dhëmb dhe të vazhdosh të vraposh. E thashë edhe më para, ndodh që kundërshtari të merr para. Por ti ke forcën në zotërim, nuk është dhunti apo talent, e kanë të gjithë, vetëm nëse ke dëshirë dhe impenjim. Më e pakëta në ato raste duhet të futesh fortë në dyluftime, të përdorësh forcën dhe të fitosh topin. Kjo nuk ndodhi, ne humbisnim çdo lloj dyluftimi dhe prandaj më la shumë shije të hidhur dhe më bëri përshtypje. Për një moment mu duk sikur lojtarët tanë ishin piketa në fushë, ndërkohë që duhej të përvishnin mëngët dhe t’i jepnin gaz pasi ndeshja nuk rregullohej dot ndryshe.

Skema 3-5-2 nuk duket se do të ndërrojë nga Reja, por nuk i përshtatet kësaj Kombëtare. A është momenti që trajneri të rishikojë mendimin e tij?

Reja e ka të fiksuar në kokë atë skemë dhe nuk ka për ta ndryshuar kurrë. Sigurisht që nëse nuk ke sukses, atëherë duhet të bësh një lëshim nga vetja, duhet të jesh fleksibël. Normale se Reja nuk është se do dështimin e Shqipërisë, por më e mira do të ishte që të ndryshonte diçka nga skema.

Etrit Berisha dhe Elseid Hysaj, të dy pjesë të suksesit të Shqipërisë në Europian, tani nuk po e marrin dot mbi shpatulla Kombëtaren…

Etrit Berisha mund të bënte shumë më mirë, mund ta largonte topin më mirë te goli i dytë, por gjëra që ndodhin. Hysaj nuk ka luajtur kurrë në ekipet e tij me 3-5-2, është një gjë jashtë mundësive dhe potencialit të Elseidit. Futbolli luhet me 11 lojtarë, madje edhe me futbollistët e stolit. Do të doja që Broja të ishte më afër portës për të shfrytëzuar potencialin e këtij lojtari.

Të gjithë krenohemi me mbrojtësit tanë që vijnë nga Seria A, por po bëjnë gabime foshnjarake në pësimin e golave. Përse ndodh një gjë e tillë?

Është e vërtetë, ka shumë debat edhe për këtë temën. Kush ka fatin që të luaj në Serinë A, Italia të mëson mbrojtjen dhe është Havardi më i mirë sa i përket shkollës së mbrojtjes. Por unë mendoj se nëse Israeli do të ishte më gjakftohtë dje, mund të na shënonte 3 ose 4 gola. Ishim të shthurur të gjithë si ekip. Djemtë duhet ta marrin si një mësim.

Kemi thënë se kjo është Kombëtarja më e mirë në historinë e Shqipërisë, por fusha nuk po e tregon një gjë të tillë.

Rezultati është ai që jep verdiktin, duhet ta tregosh vetën në fushë. Për mua, unë ende besoj se kjo është Kombëtarja me më shumë kualitet që kemi pasur. Por duhet të krijosh grupin dhe jo individualitete. Brazilianët luajnë në klube të mëdha dhe nuk kanë fituar asgjë, po e marr si shembull. Pra nuk mjafton individi nëse nuk ke grupin. Disa lojtarë duhet të marrin disa gjëra përsipër që të shkruajnë historinë për Shqipërinë duke e kualifikuar në Europian apo Botëror.

Kritikat nuk kanë munguar as për Armando Brojën ndaj Israelit. A ishte një provë si për të thënë se nuk është ende gati për të marrë i vetëm Shqipërinë?

Ka cilësi të bëj diferencën, por i vetëm nuk mund të bëj dot gjë. Vetëm Maradona dhe Mesi munden, madje as Mesi nuk ka arritur dot të fitojë Kupën e Botës i vetëm. Israeli ishte i gjithi i vëmendshëm dhe futej te Broja sa herë kapte topin dhe prandaj nuk kishte shumë hapësira për të bërë diçka. Ne thjeshtë duhet ta vendosim sa më afër portës së kundërshtarit. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online