Nga Klaudio Ndreca
Një arritje fantastike në karrierën e Myrto Uzunit dhe për historinë e Ferencvaroshit. Çfarë fillimi i ri për sulmuesin e Shqipërisë! Ndoshta as në ëndrrën më të bukur nuk mund ta kishte imagjinuar që me skuadrën kampione të Hungarisë do të mbërrinte në grupet e “Champions League”. Por jo vetëm kaq, Uzuni ka qenë protagonisti kryesor që e ka dërguar ekipin në nivelin më të lartë të suksesit.
Në mbrëmjen e sotme është barazuar pa gola ndaj Moldes, por e ardhur pas barazimit në shifrat 3-3 në transfertën e mëparshme. Futbollisti kuqezi ka shkëlqyer edhe në këtë 90 minutësh duke qenë lojtari më i mirë i Ferencvaroshit, madje duke shënuar në minutat e fundit, por goli iu anulua për pozicion jashtë loje.
Duke parë performancën e futbollistëve ka pasur edhe një ndërhyrje të menjëhershme pas ndeshjes duke thirrur dy lojtarë të Ferencvarosh për të bërë testin e dopingut. “Sport Ekspres” mëson se bëhet fjalë për Myrto Uzunin dhe mesfushorin brazilian Somalia. Pra edhe kjo tregon qartësisht punën fantastike që ka kryer sulmuesi shqiptar, aq sa mendohet se ka marrë substanca të ndaluara për të mbërritur në performanca të nivelit të lartë. /Sport Ekspres/