Ekskluzive/ “Minimumi duhej të ishim sa Vllaznia”, Arapi për arbitrimin e Xhajës: Si luhatjet e lojtarëve…

Teuta është ekipi i vetëm në Superiore që e mbyllin vitin 2020 dhe më saktësisht këtë sezon të ri pa asnjë asnjë humbje të vetme. Durrsakët morën fitoren e fundit në shifrat 0-3 ndaj Kukësit, për ta mbyllur në mënyrën më të mirë. Një vlerësim i madh shkon për mbrojtjen durrsake dhe veçanërisht për eksperiencën e madhe të Arapit, që po kontribuon gjithçka për ta parë Teutën në nivelet më të larta.

Padyshim që nëse sulmuesit e Teutës do të tregoheshin më cinik në ndeshjet e zhvilluara në këtë sezon të ri, atëherë do ta shihnim këtë skuadër në vendin e parë. Të shumta ishin barazimet radhazi që krijuan idenë se skuadra e Martinit e kishte humbur busullën në këtë kampionat dhe nuk mund të kërkonte asgjë për titullin kampion.

Megjithatë nuk kemi shkuar ende në mesin e kampionatit dhe Teuta është ngjitur në vendin e dytë. Në një prononcim për “Sport Ekspres” pas ndeshjes, e kemi pyetur Arapin edhe sa i përket statistikës domethënëse me Teutën që nuk e ka pësuar ende humbjen e parë.

“Sigurisht që ne shpresojmë që të vazhdojë ky rekord pasi të mbush me besim për ndeshjet e ardhshme. Por duhet të them se mbrojtje të mirë, pa mbështetjen e mesfushës nuk ka. Kjo do të thotë që forca jonë është grupi”.

E teksa pyetet për rastet e shpërdoruara nga sulmuesit, nëse do ta kishin arritur Vllazninë që në 2020 që gjendet me gjashtë pikë më tepër, Arapi ndan të njëjtin mendim: “Po sigurisht se nëse do të kishim shënuar më tepër, do të kishim të paktën gjashtë pikë më shumë në renditje. Por kjo nuk do të na frenojë për të vazhduar luëftën tonë deri në fund”.

Fitorja e fundit në shifrat 3-0 ndaj Kukësit ka sjellë edhe shumë polemika sa i përket gabimeve të arbitrit Xhaja. Kukësi e ka quajtur si “kamikaz” që bënte gabime tendecioze dhe e shpalli “non-grata”. Ndërkohë Arapi kujton se edhe arbitrat kanë luhatje në përformanca e tyre, ashtu si edhe vetë futbollistët.

“Në fakt nuk dua që të komentoj asgjë për atë që ka thënë klubi i Kukësit. Edhe kur kanë marrë vendimet të gabuara kundër nesh i kemi quajtur jo tendecioze gabimet, pavarësisht se kemi thënë se arbitrat duhet të shohin veten e tyre. Por ashtu si na ndodh neve lojtarëve që nuk jemi në formën e duhur në një ndeshje, e njëjta gjë edhe për gjyqtarët”.

E në fund nuk mund të qëndronim pa përmendur edhe objektivin e titullit kampion. A e beson vërtet Arapi se Teuta i ka të gjitha shanset për t’i vendosur të dyja duart te titulli kampion apo lojtarët durrsak mund të rrëshkasin në javët decizive dhe nuk mund të përballojnë dot presionin? Përgjigja ishte e thjeshtë: “Ky ekip është i ndërtuar për titullin kampion dhe ne do të jemi aty duke luftuar deri në fund. Në ekip kemi lojtarë që kanë shumë eksperiencë dhe që kanë fituar tituj kampion. Janë të mësuar tanimë me këtë presion”, përfundoi Arapi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *