Ekskluzive/ “Me ekipin e Tiranës identifikohen familjet e kryeqytetit”! Gent Muça: Hakmarrja ndaj Partizanit? Arritëm më shumë

Nga Klaudio Ndreca

I ulur me trofeun e Superiores në duar dhe duke kujtuar të kaluarën sprovuese deri në limitet e dorëzimit. Padyshim që titulli me shije më të veçantë do të jetë për Gent Muçën. Lojtari që meriton të gjitha duartrokitjet për faktin se nuk hoqi dorë asnjëherë pavarësisht se jeta e përballi me disa vështirësi që ishin shumë serioze.

Në një intervistë për “Sport Ekspres” mbrojtësi i Tiranës ka treguar gjithë gëzimin për trofeun e arritur. Vendi ku e mësoi se ishte zyrtarisht kampioni i Superiores ishte një histori më vete, teksa duhej të përmbante të sharat që shoqërojnë zakonisht shqiptarët në çdo festim, pasi nuk ishte ambienti për ta bërë një gjë të tillë dhe duhej të përmbahej.

Kur i kthehesh mbrapa gjithë kohës së vështirë të kaluar dhe me titullin në duar. A mund të habitet edhe Gent Muça me vetveten, sesi nuk u dorëzua kurrë?

Faleminderit Zotit për gjithçka. Për atë që kam kaluar dhe për mënyrën sesi erdhën gjërat. Për momentin e duhur që përkoi me rikthimin tim dhe të Tironës, nëse mund ta themi kështu. Përderisa Zoti na ka lënë derën e shpresës hapur, dorëzimi nuk ekziston si opsion.

Ku gjendeshe në ndeshjen Vllaznia-Kukësi dhe cili ishte reagimi i atyre momenteve?

Isha në një emision sportiv dhe lajmin e golit të Vllaznisë na e përcolli moderatorja e emisionit bashkë me një kameraman. Ishte tifoz i Tiranës ai, sigurisht. Akoma nuk po e kuptojmë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë dhe gëzimi është i papërshkrueshëm..

Cfarë përfaqëson klubi i Tiranës saktësisht për Muçën dhe çfarë emocioni të jep ky titull?

Tirona si qytet dhe kjo skuadër është padiskutim emblem dhe krenaria jonë. Është amanet për mua dhe besoj për çdo tifoz. Me skuadrën e Tironës dhe ngjyrat bardheblu indentifikohen familjet e këtij kryeqyteti. Është gëzim dhe lumturi, përveçse arritje profesionale dhe mbi të gjithë kënaqësitë që i kemi falur tifozëve.

A do të kishe dashur që këtë trofe ta siguroje matematikisht në derbi në shenjë “hakmarrje”?

As unë dhe as shokët e mi nuk e kemi pishman fare këtë gjë pasi këtë vit kemi arritur gjëra shumë më të mëdha sesa hakmarrja personale. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *