Ekskluzive/ “Më doli në ëndërr Tirana-Partizani, ja se kush i bëri golat”! Bitri: Nëse UEFA më jep leje, vij me një këmbë të luaj kundër Tiranës tani

Nga Klaudio Ndreca

Kur Eneo Bitri mbërriti nga Tomori te Partizani, në ambientin vendas dhe tek tifozët kishte jo pak paragjykime. Sa herë që mbrojtësi gabonte, përmendej jo pak edhe emri i ekipit nga kishte ardhur, qyteti i lindjes së tij. Në momentin që Bitri mbërriti te Astana, të gjithë e kuptuan realisht sesa vlerë kishte ky lojtar.

Golat e shënuar në Europë i dhanë një tjetër “fytyrë” Eneos. Kur u rikthye në kryeqytet, megjithëse kishin kaluar fare pak kohë, Bitri nuk ishte më lojtari i ardhur nga Berati, por mbrojtësi perfekt. Një siguri e madhe në prapavijën e të kuqve dhe pas kësaj eksperience nisi tjetër aventurë jashtë Shqipërisë, te Ostrava.

Fillimi ishte i vështirë për 26-vjeçarin, që tani është kthyer në lojtar titullar dhe po shpërthen me golat të shënuar. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Bitri zbulon pak nga biseda me trajnerin e Ostravës, Hapal: “Nëse do të na mungojë ndonjë nga sulmuesit, do të fus ty në linjën e parë”.

Më pas mbrojtësi rrëfen se derbi i radhës Tirana-Partizani i ka dalë në ëndërr. Rezultati i saj ishte 0-3, ndërsa shënonte Rrapaj, Da Silva dhe Mba. Tifozët bardheblu urojnë që kjo të mos ndodh, por Bitri ka një lajm të keq për ta, ëndrrat i dalin në jo pak herë. E teksa fantazojmë rastin kur UEFA i jep leje Skukës dhe Bitrit që të rikthehen në Shqipëri për të luajtur vetëm derbin kundër Tiranës dhe më pas të rikthehen sërish në ekipet e tyre, mbrojtësi nuk na e lejon përfundimin e pyetjes: “Do të vija me një këmbë”.

Në fillim ke pasur shumë vështirësi te Ostrava, çfarë ndodhi që shpërtheve në këtë moment?

Kam pasur vështirësi në fillim, pasi ka qenë ndryshimi i klimës. Më pas nisi dëmtimi në shpinë, sa nisa të luaja u dëmtova prapë. Pas rikuperimit që isha edhe në Shqipëri, u ktheva në formën time më të mirë dhe po kaloj moment fantastik këtu.

Përpos shumë vlerësimeve, trajneri juaj në Çeki ka pasur një kritikë për faktin se je disi i ngadaltë me zotërimin e topit. Po punon në këtë aspekt?

Jam mësuar me tjetër stil loje në Shqipëri. Kam pasur trajner italian dhe Ilir Dajën që kishin tjetër profil loje. Këtu po përshtatem me filozofinë e trajnerit, kërkon të luhet shpejt me topin. Jam duke arritur që të përshtatem në pikën që ai do.

A të ka ngacmuar ndonjë nga drejtuesit e klubit se investuan te ty si mbrojtës, por po i del sulmues me golat që po realizon?

Drejtuesit e prisnin një gjë të tillë, pasi ata më kanë marrë për shkak se unë shënoj gola si mbrojtës. E dinë që unë e kam specialitet golin(qesh), presin shumë nga unë. Jam duke ia shpërblyer besimin që më kanë dhënë.

Cila ka qenë batuta më e bukur në lidhje me “sulmuesin Bitri”?

Trajneri më thotë ndonjëherë që nëse nuk do të jetë ndonjëri nga dy sulmuesit, do të filloj me mua në linjën e parë të sulmit.

Le të fantazojmë për një moment. UEFA të jep leje ty dhe Skukës që të vini te Partizani vetëm për një ndeshje, atë kundër Tiranës dhe më pas të kthehesh prapë në Çeki. Do të vije?

Do të vija dhe me një këmbë thuhet në këto raste…(qesh)

Partizanin vazhdon t’ia ndjekësh të gjitha ndeshjet apo jo?

Shoh çdo ndeshje të Partizanit, jam gjithmonë pjesë e Partizanit dhe do të jem pjesë e tyre. Kam lënë prapa shokët e mi, miqtë e mi dhe i ndjek gjithmonë.

Sa shanse mendon se ka ish-ekipi juaj për të fituar titullin kampion?

Nëse Partizani fiton derbin e ka të fituar titullin kampion pasi derbi do të thotë shumë dhe këtë e dinë të gjithë. Mendoj se Partizani do ta fitojë.

Presioni është te Tirana apo te Partizani në këtë ndeshje sipas teje?

Ne nuk kemi pasur kurrë presion te Partizani për rezultat, kemi luajtur lirshëm, e di çfarë do të thotë derbi aty. E kundërta e Partizanit është Tirana pasi ata e kanë presionin shumë herë më të madh, si në klub dhe ekip, prandaj mendoj se Partizani ia del.

E ke një ndjesi, si del rezultati?

Në fakt mendoj se derbi del 3-0 për Partizanin, e kam parë në ëndërr. (qesh)

Ëndrrat të dalin zakonisht apo jo, kush shënoi atje?

Ëndrrat më dalin, shënoi Rrapaj, Da Silva, Mba (qesh)

Ke folur me Xhuliano Skukën për këtë derbi të Partizanit?

Flasim me Skukën, me lojtarët e Partizanit, pasi kemi një grup në Ëhats App bashkë. E kishim lënë që të vinim me Skukën për të ndjekur ndeshjen, por për shkak të angazhimeve tona këtej nuk mundëm. Do ta ndjekim nga telefoni.

Kombëtarja po afron dalëngadalë, e pret ftesën e Silvinjos me këtë formë?

E pres gjithmonë ftesën e Kombëtares, vetëm të më vij. Unë do të respektoj gjithmonë vendimin e trajnerit. Ajo më jep më shumë vullnet për të qenë pjesë e listës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *