Ekskluzive/ “Më besoni, Ernest Muçi mund të luajë me Real Madridin një ditë”! Munishi i bindur: Ju nuk ia dini akoma vlerën këtij lojtari

Ernest Muçi arriti që të shënonte me Shqipërinë në ndeshjen e fundit kundër Ishujve Faroe. I ardhur nga stoli, lojtari shqiptar dhuroi spektakël duke kaluar kundërshtarët, për të mbërritur më pas te goli. “Sport Ekspres” ka zhvilluar një intervistë me trajnerin e njohur shqiptar të Kosovës, Ismet Munishi.

Ky i fundit ka analizuar fillimisht Shqipërinë e Silvinjos duke i vendosur notën “10” brazilianit, ndërsa më pas do të ndalej veçanërisht te Muçi. “Shqipëria ka ndryshuar shumë. Silvinjo e ka bërë këtë ndryshim në tre pjesë: “Stili i lojës, tani është më sulmues. I seleksion lojtarët në parametra fizik, teknik, jo me emra, se kush është. E treta është vetbesimi që ka vetë dhe e përcjell te ekipi”. Kemi pasur trajnerë që më shumë janë përgatitur për të pasur alibi se për të pasur sukses. Shihet një “ALL IN” nga Silvinjo, vjen nga një tjetër nivel i futbollit me Zabaletën.

Gjithmonë ka pasur polemika për trajner, kështu edhe për Silvinjon. Është trajner i ri, por është zgjedhje fantastike që ka bërë FSHF. Ne nuk mundemi të paragjykojmë trajnerët, vetëm t’i analizojmë ata gjatë procesit të punës. Deri këtu, Silvinjo meriton 10. Po punon me energji dhe ka shumë vetbesim. Shqipëria po luan futboll me lojtar modern, që kanë shumë garanci për të ardhmen”, tha Munishi.

Nga krahu tjetër, trajneri tha se Ernest Muçi ka aftësinë që një ditë të luajë me Real Madrid. Gjithashtu Munishi tregoi se në Tiranë nuk ia dinë vërtet vlerën këtij futbollisti.

“Jasir Asani është basti i parë, super futbollist. Pritet edhe kthimi i Brojës tani. Unë kam shumë simpati edhe për Mucin, është lojtar fantastik. Do të mbërrij shumë larg në futboll, e kam pasur simpati edhe kur luante te Tirana. Muci ka aq shumë talent sa ju gazetarët, mediat dhe opinioni sportiv në Tiranë nuk është i vetëdijshëm. Por më besoni, Muci të bëhet lojtar për të luajtur me Real Madrid”, u shpreh Munishi.

E teksa e pyesim se nëse i pëlqen më shumë Vedat Muriqi i Mallorcas apo i Kosovës, nëse i pëlqen më shumë Milot Rashica i Galatasaray apo i Kosovës, trajneri ka thënë: “Është pak me spec kjo pyetje. Të dy lojtarë fantastik që nuk i ka asnjë ekip në Ballkan. Pse nuk luajnë këta, është faji në tjetërvend, duhet të ndërtohet loja rreth tyre. Nuk mundet këta që të luajnë mirë në ekipe dhe jo me Kosovën. Nuk besoj se është faji i Vedatit apo i Milotit. Më vjen mirë që Federata e gjeti problemin ky ishte dhe urojmë një zgjedhje sa më të mirë për trajner pasi Kosova ka shumë potencial. Asnjëherë nuk e kanë fajin ushtarët, e ka fajin gjenerali. Asnjëherë nuk e ka fajin lojtari, por gjenerali”, tha Munishi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *