Eraldo Harlicaj
Marrëdhëniet e Edgar Çanit dhe Partizanit dihen tashmë. Klubi do të përdorë çdo masë që lojtari të mërzitet dhe të prishë kontratën me “demat”, sulmuesi do të durojë çdo gjë që t’i qëndrojë deri në fund kontratës dhe të mos largohet. Situata është shumë e ashpër, pasi drejtuesit e klubit kanë vendosur masën e radhës për lojtarin.
“Sport Ekspres” mëson me burime të sigurta pranë klubit të kuq se Çani është urdhëruar të stërvitet i vetëm me zëvendëstrajnerin, Marko Jovanoviç. Sulmuesi shtatlartë stërvitet larg ekipit në orën 10:00, paradite. Ai kryen stërvitjen në temperatura shumë të larta, por duket se është i vendosur t’u bindet masave të klubit dhe të mos prishë kontratën.
Ai u la jashtë listës për Europa League, klubi i hoqi numrin 9, tani merret masa e radhës për Çanin. Mes sulmuesit dhe Partizanit ka nisur një luftë e hapur, madje mund të përfundohet në gjyq. 29-vjeçari ka shumë muaj pa u paguar, ndërsa nuk po flasim për shifra të vogla, por për 12 mijë euro në muaj. Aq është rroga e tij.
Gjatë kohës që nuk ka luajtur. Sulmuesi ka pranuar përgjysmimin e kontratës. Në periudhën që ka qenë i dëmtuar, Çani ka ulur rrogën e tij në 6 mijë euro. Situatat kanë ndryshuar tashmë dhe gjithçka ka marrë tjetër rrugë. Asnjëra nga palët nuk tërhiqet.