Lorik Cana e ka të vështirë t’i ndahet futbollit. Ky sport i ka dhënë shumë atij, sigurisht falë angazhimit dhe asaj që ka dhënë në fushën e blertë. Shumëkush pret ta shohë trajner ish-kapitenin e kombëtares, pasi licencat për këtë i ka marrë. Gjithashtu është licencuar edhe si drejtor sportiv, çka tregon që gjakovari diçka po “gatuan” gjatë kësaj periudhe.
Dhe nga ajo çka “SportEkspres.com” mëson, kemi të bëjmë me diçka të madhe që Lorik Cana po planifikon për të ardhmen e tij. Plani i tij është që të jetë bashkëpronar i një klubi të Superligës së Zvicrës dhe konkretisht Grasshopers Zyrih. Në fushë shqiptarët që mbrojnë ngjyrat e këtij klubi janë të shumtë , ndërkohë që tanimë mund të ketë president Canën.
Sigurisht asgjë nuk është e kryer për momentin dhe po negociohet për diçka të tillë. Veçse bashkëpronar, Cana po mendon të bëjë edhe drejtorin sportiv te Grasshopers. Pas Igli Tares që po tregohet i suksesshëm te Lacio në Itali, ish-kapiteni i kombëtares kërkon të ndjekë të njëjtën rrugë.
Nëse gjithçka do të mbyllet me sukses, Grasshopers në Zvicër sigurisht që do të kthehej edhe në një trampolinë për lojtarët e talentuar shqiptarë, qoftë ata të lindur e formuar nëpër Europë, qoftë për ata që janë produkt i klubeve këtu në Shqipëri, Kosova apo edhe në Maqedoni e Mal të Zi.