Ekskluzive/ Lista e talenteve që do “pushtojnë” Tiranën, trajneri i U-17: Mentalitet i gabuar nga prindërit, e duan djalin me çdo kusht futbollist

Nga Klaudio Ndreca

Nga Klaudio Ndreca

Tirana është një prej ekipeve shqiptare që po prodhon më shumë talente të futbollit në këto vite të fundit. Emra të njohur kanë dalë për të veshur fanellën e bardhebluve nga akademia, teksa Ernest Muçi është brendi më i ri i njohur që mbërriti te Legia e Varshavës. Por më pak të njohur nuk janë as Celhaka dhe Ismajlgeci, që kanë dëshmuar më së miri aftësitë e tyre në elitën e futbollit shqiptar.

Numri vjen duke u shtuar, ndërsa merita më e madhe për rritjen e këtyre talenteve u takon “dorës së parë”. Pra atyre njerëzve që i kanë dhënë formimin e parë këtyre lojtarëve në mënyrë që te filiali kryesor ta kenë më të lehtë që t’i nxjerrin më të mirën elementeve në fjalë.

E një prej trajnerëve që po punon te Tirana prej vitesh që të nxirret sa më tepër prodhim me cilësi të lartë është edhe Fatjon Muhameti. Në një vend si i joni ku gjithëkush kërkon që të “rrah gjoksin” për zbulimin e ndonjë talenti shpërthyes, Muhameti që drejton Tiranën U-17 shprehet se të gjithë teknikët kanë dorë në formimin e një futbollisti, pa kërkuar që të fitojë më shumë kreditë prej emrave të caktuara që kanë dalë nga dora e tij. Në intervistën e dhënë për “Sport Ekspres” është shpjeguar mënyra sesi funksionon puna te Tirana, pa harruar edhe mentalitetin shqiptar të gabuar: “Çdo fëmijë që futet në futboll, do të bëhet futbollist”.

Puna në drejtimin e moshave të Tiranës. Fillimisht duam të dimë sesi parashikohet e ardhmja e këtij klubi duke qenë se ju e mbani në duar atë?  

Në radhë të parë duhet të them se është kënaqësi e madhe për mua që të punoj te akademia më e madhe në Shqipëri. Si e tillë, e ardhmja është e sigurt se këtu punohet shumë mirë që nga drejtori që është emër i madh i futbollit shqiptar, Devi Mukaj, e te talentet që zhvillohen dita-ditës.

Le të flasim pak edhe për strukturën e klubit tuaj nga moshat te ekipi i parë. Si është komunikimi mes trajnerëve për elementet cilësor që janë gati për të bërë një lëvizje më të madhe dhe si procedohet për punën në tërësi?

Akademia jonë është një akademi shumë mirë e organizuar ku drejtori dhe stafi teknik janë të kualifikuar dhe i tillë është evidentimi i talenteve te çdo grupmoshë që të stërvitet me ne, falë komunikimit shumë të mirë mes specialistëve që punojë te kjo akademi. Këtë e ka treguar edhe fakti që falë drejtorit Devi Mukaj, shumë lojtarë janë spikatur dhe kanë dhënë kontribut në ekipin e parë.

Presidenti Halili e ka theksuar prej kohësh që kërkon me patjetër nxjerrjen e talenteve të akademisë në ekipin e parë. I jep kjo një motivim më shumë edhe djelmoshave?

Normalisht që është fat për Tiranën dhe akademinë tonë që kemi një president të apasionuar dhe shumë dashamirës si Refik Halili. Kjo është plus për të gjithë ne dhe fëmijët që të punojnë dhe stërviten, që të aktivizohen më pas në ekipin e parë. Në këto vite janë aktivizuar shumë të tillë dhe që kanë dalë kampion. (Grend Halili, Marlind Nuriu, Jurgen Çelhaga, Marsel Ismailgeci, Ernest Muçi, Andri Stafa, Mario Beshiraj, por edhe lojtarë që kanë dalë nga kjo akademi dhe aktivizohen në Superiore si Redon Dragoshi, Rei Nuriu, Mateo Shana, Patrik Bardhi e shumë të tjerë).

Në duart tuaja kanë dalë edhe shumë emra që janë bërë të njohur te Tirana. Atëherë për ta përcaktuar qartë është mësuesi i parë që të formon?

Siç e thashë edhe më parë, është fat për mua që të punoj te akademia e Tiranës. Unë kam pasur fatin që të punojë me shumë prej lojtarëve si Celhaka, Ismajlgeci, Muci, Stafa, Argel Avdiu, Omar Musaj, Aldi Gjumsi, Kristi Malo, Mateo Shanaj, Klev Qefalia, Jurgen Pasmaciu, Rei Zere, Melsi Cereni, Marin Abazaj, Danilo Bajraktari, Leon Kozi, Jurgen Sina, Luis Bircaj, Enes Kuka, e shumë të tjerë. Dua t’i përmend të gjithë, por janë shumë. Mësuesi i parë është ai që të jep dorën e parë dhe të dërgon në rrugën e duhur. E kështu çdo trajner që punon te akademia jonë ka pjesën e vetë të punës, po dëshira dhe puna e palodhur e lojtarëve është kryesore për t’u bërë futbollist.

Te kush emër i njohur që ka dalë nga Tirana mendon se ke më shumë dorë në nxjerrjen e tij?

Nuk mund të ndaj askënd, por kënaqësia është që kam punuar me këta lojtarë që më duhet t’i përsëris si Celhaka, Stafa, Gjumsi, Musaj, Redi Veriu, Klevi Qaflia etj.

Po sa i përket pjesës së mentalitetit të prindërve, është ai i duhuri? Pra e kemi kulturën e duhur që nëse “djali im” nuk luan, të mos mërzitem e kthej personale me ty si trajner?

Këtu futet edhe mentaliteti jonë si shqiptar pasi nëse fëmija jonë futet në një ekip futbolli, themi se me patjetër duhet të bëhet futbollist. Në radhë të parë duhet të mësojmë edukatën sportive që do të thotë stërvitje, punë, sakrificë, konkurrencë, disiplinë. Kjo është baza e një futbollisti, pjesën tjetër e vendos trajneri. Mentaliteti është i gabuar, por si çdo prind që gjithmonë mendon se fëmija i tij është më i miri, ka disa gjëra për t’u përmirësuar në këtë pjesë.

Gjithmonë merkato në Shqipëri drejtohet nga të huajt. E quani gabim mënyrën sesi procedohet në tregun e verës dhe dimrit, duke i ulur mundësinë talenteve vendas që të shpalosin aftësitë e tyre?

Si në të gjitha vëndet e botës, më të mirin e marrin të gjithë. Edhe te ne kërkohet për më të mirët. Kur ka talente të duhur edhe kjo pjesë është pozitive që të integrohen me lojtarët të huaj që i shërben edhe eksperiencën, për t’u rritur profesionalisht.

Sa hapa mbrapa është Shqipëria tani në krahasim me elitën e Europës në përgatitje të lojtarit dhe sa hapa para në krahasim me vetveten dikur?

Shqipëria po bën progres nga viti në vit dhe po përparon edhe në futboll me mundësitë që ka.

Një emër që ta mbajmë shënim nga Tirana për të ardhmen dhe që ndodhet në grupin tuaj, cili është?

Në fakt ka shumë lojtarë, po do veçoja futbollistët që janë edhe në Kombëtaren U-17-U-19 si Orsi Ageja, Eris Reci, Danilo Bajraktari, Jurgen Sina. Shpresoj që edhe me punën e palodhur të vet futbollistëve, djersa do t’ju shpërblehet. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *