Gjithmonë themi se tifozët sakrifikojnë për Kombëtaren. Por cilat janë realisht shifrat që ata shpenzojnë nga xhepi i tyre për të qenë në stadium dhe për të përkrahur Shqipërinë? Shpenzimet janë të shumta, bileta e stadiumit është “halli më i vogël”. Akomodimi në hotel, ngrënia, shpenzimet e ndryshme gjatë ditës, birrat e pira, pa harruar edhe ditën e punës që nuk merret në shtetet nga ata vijnë dhe që për hir të së vërtetës, nuk janë pak.
Për të kuptuar një ide të qartë të gjithë kësaj panorame, këtë herë “Sport Ekspres” do të sjell një intervistë interesante me tifozin e Kombëtares, Nin Bitani. Ai jeton në Suedi dhe origjina e tij është nga Shkodra, teksa udhëtoi drejt Pragës për të mbështetur Kombëtaren, do të vijë në Tiranë dhe më pas do të shkojë sërish në Suedi. E gjitha kjo kap një vlerë prej 5000 eurosh, por nuk është kjo e gjitha. Ka raste kur Nini “gënjen” shokët e tij se ka gjetur një biletë udhëtimi prej 50 eurosh për Tiranë, në mënyrë që t’i marrë edhe ata me vete për të ndjekur ndeshjen pasi nuk e kanë mundësinë ekonomike. “Jo të gjithë i presin paratë me gërshërë këtu”, tregon Nini. Kështu ai vendos pjesën tjetër të parave dhe vijnë të gjithë së bashku për të kaluar emocionet dhe adrenalinën që nuk e gjejnë askund tjetër.
“Ne që vijmë nga jashtë kemi shumë shpenzime për të parë ndeshjet. Përshembull, për këto dy ndeshje mund të shpenzojmë 4000-5000 euro. Këtu po iu flas vetëm për shpenzime, jo për paratë që më zerohen nga ditët e punës në Suedi. Atje paguhemi 200-300 euro dita dhe llogarit ditët që ne jemi për Kombëtaren dhe nuk i fitojmë, këto janë llogari minues më vete.
Isha në Pragë, kam parë shqiptarë që vinin nga Amerika, që kanë një shumë të madhe të parave që duhet të paguajnë për të parë Shqipërinë, pa harruar dasmat dhe eventet e tjera që mund t’i ndodhin dhe të kthehen prapë për atdhe.
Unë këtë e quaj “sëmundje”. Jam 58 vjeç dhe kam parë shumë ndeshje të Kombëtares, në këto kualifikuese i kam parë të gjitha ndeshjet. Mund të them se kjo është Shqipëria më e mirë që ne kemi pasur ndonjëherë. Kemi edhe një trajner të madh. Zakonisht ne takoheshim me lojtarët përpara ndeshjeve. Tani ai ka vendosur një rregull, nuk ka më takime të tilla. Tani lojtarët na thonë: “Na falni, nuk mund të takohemi dot, vetëm pas ndeshjeve”.
Dua të theksoj se vëllezërit tanë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut japin një puls shumë të madh, zëri i tyre dëgjohet shumë. Kombëtarja është mbi ne, ky duhet të jetë një mesazh për të gjithë.
Kam parë në Çeki, por edhe në transfertat e tjera, njerëz që vijnë me para të numëruara sesa duhet të harxhojë gjatë ditës, sepse nuk ka të tjera. Vijnë nga Shqipëria me rrogën 300-400 mijë lekë, vijnë në transferta. Megjithatë ne mundohemi që t’i paguajmë disa fatura atyre për t’i ndihmuar, disa qerasje.
Ka raste kur ndonjë nga shokët tanë në shtetin ku jetojmë nuk ka para për të ardhur. Jo të gjithë i presin paratë me gërshërë këtej, duhet ta kemi të qartë. Unë i them: “Hajde se kam gjetur biletë udhëtimi të lirë për Tiranë, e kam kapur me 50 euro”. Sigurisht, ja fus kot, nuk ka biletë me 50 euro. Por e mbulojmë pjesën tjetër dhe kështu mund të shkojmë të gjithë për të parë ndeshjen e Shqipërisë. Ajo mbledhja që iu bë lojtarëve kundër Islandës atëherë ishte shkundje.
Duhet që lojtarët ta kuptojnë se ajo fanella e Shqipërisë peshon rëndë. Duhet që lojtarët ta kuptojnë se ajo është fanella për të cilën ne vrapojmë që t’ia marrim lojtarëve. Duhet që lojtarët të mos i ruajnë këmbët e tyre për klubet, por t’i japin për Kombëtare. Kam edhe një thirrje për FSHF. Duhet të gjendet një zgjidhje në mënyrë që ata tifozët që kanë parë 100% të ndeshjeve të Shqipërisë, të mos u mungojë bileta. Duhet të gjendet një mekanizëm. Nuk mund të vuajë për biletë dhe të ngeli pa biletë një tifoz që ka parë 100% të ndeshjeve të tjera vetëm se shtohet shumë interesi në një ndeshje të caktuar”, tha Nini. /Sport Ekspres/