Nga Klaudio Ndreca
Ludek Miklosko është drejtori sportiv i Ostravës, klubit çek që siguroi shërbimet e Bitrit nga Partizani. Kjo skuadër kërkon që të arrijë në Europë dhe për këtë arsye kishin nevojë edhe për mbrojtësin shqiptar. Pas Xhuliano Skukës dhe Redon Xhixhës, ky ishte transferimi i tretë më i rëndësishëm që mbërriti për lojtarët e Superiores në merkaton e dimrit.
Por Ludek Miklosko ka qenë një emër i njohur i futbollit përpara disa vitesh, teksa ish-portieri konsiderohet si legjendë te West Ham. “Sport Ekspres” ka zhvilluar një intervistë me drejtorin e Ostravës që ka dhënë përshtypjet e para për Bitrin.
“Kur kam luajtur me Kombëtaren e Cekisë, kam qenë në Shqipëri dhe aty ishte hera e parë kur kam parë dhe takuar disa lojtarë shqiptarë. Tani kemi marrë Bitrin, e kemi parë në disa ndeshje, kemi parë shumë video të tij dhe në ndeshjet që ka zhvilluar në Europë. Ne kishim disa alternativa për të marrë një mbrojtës, por e pamë Bitrin si zgjedhjen më të mirë për ne.
Ai mund të luajë futboll, është i fortë në ajër dhe mund të na ndihmojë shumë, e pëlqejmë këtë lojtar. Bitri është mirë në mbrojtje, por edhe mund të shënojë gjatë zhvillimit të goditjeve standarte. Tani ai ka ardhur në Ceki, duhet të përshtatet pasi kampionati këtu është shumë fizik. Por Bitri është duke u përgatitur, po stërvitet shumë dhe besoj që do të jetë vetëm çështje kohe që të futet në fushë dhe të shoh më nga afër futbollin çek”, tha Miklosko. I pyetur se ku mund të renditej Partizani, klubi nga u mor Bitri, nëse do të luante në kampionatin e Çekisë, legjenda e West Ham kishte dyshime: “Nuk e di, është shumë e vështirë për ta thënë. Por me aq pak sa kam parë, ndoshta në vendet e fundit të kampionatit tonë”. /Sport Ekspres/