Ekskluzive/ Largimi i stafit teknik dhe ndihmësve të Shkëmbit te Dinamo, Sport Ekspres zbulon të vërtetën

Merkato e verës e bërë nga Dinamo ishte më e mira në Superiore ku u afruan emrat më të kërkuar të futbollit shqiptar. Nga një skuadër e ardhur nga Kategoria e Parë, përtej emrit të madh, transferimet e kryeqytetasve bën që ta emërtonim për një moment si “PSG e Superiores”.

Mjaftonte të kërkohej një emër dhe Dinamo finalizonte marrëveshjen. Por përtej kualiteteve në letër, cilësitë nuk u shprehën dot në fushë. Nisur nga rezultatet e dobëta dhe renditja në “zonën e ftohtë”, u vendos që të bëhej ndryshimi.

Në këtë ndryshim e pësuan ndihmësat italian të Bledi Shkëmbit si Françesko Vitobelo dhe përgatitësi atletik Daniele Nervi. Në media është raportuar se palët kanë gjetur dakortësinë dhe rrugët janë ndarë me konsensus.

Megjithatë nga burimet e sigurta të “Sport Ekspres”, konfirmojmë të vërtetën mbi këtë rast. Në fakt Françesko Vitobelos dhe Daniele Nervit nuk i ka mbërritur ende një vendim nga klubi përmes emailit, faqes zyrtare apo rrugëve të tjera për t’i konfirmuar se nuk do të jenë më pjesë e skuadrës për vazhdimësinë.

Pra deri në këto momente, shkarkimi i tyre është bërë i ditur vetëm nga mediat dhe italianët janë duke pritur një përgjigje nga klubi për t’i sqaruar ndarjen e rrugëve. Në kushte të tilla, konsensusi nuk do të ishte fjala e duhur për të përkufizuar rastin në fjalë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *