Ekskluzive/ “Laçi do renditej në 5 vendet e para në Belgjikë”! Dosti tregon takimin me Kompany: Ja përshtypja që i kishte lënë Shqipëria

Nga Klaudio Ndreca

Laçi do të luajë kundër Anderlehtit për atë që cilësohet si…”misioni i pamundur”. Kurbinasit duhet që të lënë pa Europë një kundërshtar që ka histori të madhe në Europë, që drejtohet nga ish-futbollisti i Manchester City, Kompany, që vetëm një lojtar i kushton 11 milionë euro dhe që në total kushton 90 milionë euro.

Kaq për të kuptuar panoramën dhe faktin se Anderlehti do ishte rivali i frikshëm për të gjitha ekipet shqiptare. Por nga ana tjetër kjo nuk do të thotë se kurbinasit nuk duhet të hyjnë në fushën e lojës. Përkundrazi, kanë shumë për të thënë. Jo më kot arritën që të eliminonin Craiovën, një tjetër skuadër që dukej “e frikshme” në pamje të parë.

Por si do të jenë diferencat e vërteta në fushën e lojës? Për këtë arsye kemi kontaktuar Edmond Dostin. Figura e njohur e futbollit shqiptar e njeh më së miri ambientin e Laçit nga e kaluara, ndërsa ka pasur edhe eksperienca të ndryshme në vende të Europës ku futbolli luhej në nivelet më të larta. Dosti ka takuar edhe trajnerin e Anderleht, Kompany, ndërsa na tregon përshtypjen e tij të parë. Ku do të renditej Laçi nëse do të luante në Belgjikë? Në 5 vendet e para! Këto fjalë që vijnë nga Dosti janë padyshim “kura” më e mirë e kurbinasit që të vendoset në pah forca e tyre dhe të hiqet ndjenja e inferioritetit.

Laçi-Anderleht. Sa janë diferencat mes ekipeve? Do të thotë Laçi fjalën e tij apo duhet të dorëzohet para gjigandëve?

Të jemi realist që ka diferenca duke u nisur vetëm nga fakti që ekipi i Anderlehtit kushton 90 milionë euro. Por Laçi duhet të bëjë atë që arriti me Craiovan, të luajë i barabartë dhe pa frikë. Pavarësisht se përpara ka kundërshtar me përvojë të madhe në Europë.

Nëse Laçi do të luante në kampionatin belg, çfarë vendi do të zinte?

Besoj se Laçi ka bërë një ekip shumë të fortë dhe do të pretendojë për të fituar titullin kampion në Superiore. Nëse do të ishte në Belgjikë? Në 5 vendet e para.

Takimi me Kompany. Çfarë keni biseduar, çfarë ju tha për Laçin dhe Shqipërinë?

Kompany ishte kampion i vërtet. I kishte pëlqyer shumë Shqipëria dhe njerëzit. Sa i përket Laçit, ka shumë respekte dhe e ka parë ekipin me detaje. Por ishte shumë optimist për rezultat pozitiv në “Elbasan Arena”.

Paraqitja e ekipeve shqiptare në Europë. Viti i dytë rresht që kemi suksese. Rastësi apo fryte projekti?

Është shumë pozitive që kemi këto rezultate me ekipet shqiptare në Europë. Kjo i bënë mirë futbollit shqiptar dhe për këtë ka meritë Laçi dhe Teuta. U uroj suksese në turin e tretë.

Një mendim rreth Partizanit? Si iu duk në Europë dhe si e pret në sezonin e ri?

Partizani nuk po më jep ndjesinë e mirë këtë vit. U eliminua nga Europa me rezultatin e përgjithshëm 5-0. Janë larguar shumë lojtarë të formacionit. Shpresoj se presidenti dhe drejtori të bëjnë më të mirën për një ekip dinjitoz dhe pretendent për kampion. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *