Nga Klaudio Ndreca
Një ndeshje për vlerësim maksimal erdhi nga dy qendërmbrojtësit e Shqipërisë U-21 në takimin ndaj Austrisë U-21. Këtu flasim për Geraldo Bajramin dhe Adolfo Selmanin, të cilët ishin muri ku thyhej gjithmonë sulmi i Austrisë. Njërin prej tyre kemi mundësinë që ta shohim në Superiore me Laçin, ndërsa tjetri po kërkon gjithmonë e më tepër një fanellë titullari te Birminghami në Angli.
Në një intervistë për “Sport Ekspres” pas përfundimit të takimit me Austrinë ku kemi arritur të fitojmë në shifrat 1-5, Bajrami e ka cilësuar shkurtimisht si një hakmarrje perfekte. Kjo pasi i njëjti kundërshtar na kishte mundur me shifrat 0-4 në Shqipëri dhe këtu mbetet pengu më i madh, pasi golat e rivalëve erdhën nga gabimet e kuqezinjëve. Gjiithashtu një vlerësim të lartë Bajrami e ka dhënë edhe për Selmanin, duke u shprehur se mund të shkojë për nivelet më të larta.
Fitorja 1-5 ndaj Austrisë U-21. Keni dhënë një shuplakë të fortë në transfertë, ishte kjo një hakmarrje për fitoren e tyre 0-4 në Shqipëri?
Ne shkuam në Austri me një plan loje dhe i qëndruam asaj duke e përmbushur në mënyrë perfektë. Dëshironim me patjetër hakmarrjen pasi ndeshjen ku humbëm në shtëpi 0-4 ishte për fajin tonë pasi golat erdhën nga gabimet tona. Të shkosh në Austri dhe t’i shënosh 5 gola ishte hakmarrja perfekte.
Së bashku me ty në qendër ishte edhe Adolfo Selmani që interpretoi një ndeshje të shkëlqyer. Mund të mbërrijë larg, ndoshta për nivelin në Europë?
Fillimisht dua të them që Adolfo është një djalë i mirë dhe që punon për ekipin. Do të jap 100% për Kombëtaren, ashtu si edhe ne të tjerët. Isha aq shumë i lumtur për të kur arriti që të realizonte golin. Nuk shoh arsye se përse të mos shkojë në një nivel më të lartë. Ka punuar shumë për të arritur deri këtu dhe jam i sigurt që do të punojë edhe më shumë për një nivel më të lartë.
Kur mundim në këto shifrat Austrinë, vështrimi shkon menjëherë te klasifikimi në grup. Ato pak shanse që i japin kualifikimin Shqipërisë përkëthehet edhe në një fitore të tonën në transfertë ndaj Anglisë. Sa gjasa ka?
Nuk dua që të shoh aq larg, t’i marrim ndeshjet një nga një. Fillimisht e kemi me Andorën, duhet që të bëjmë punën tonë ndaj tyre dhe pastaj me Kosovën. Pastaj do të kemi kohë për ta përgatitur Anglinë, atje ku do të provojmë që të japim më të mirën tonë për të marrë tre pikët.
Si e shihni brezin e Shpresave të Shqipërisë?
Ne kemi disa lojtarë të mirë te U-21 dhe ju i shihni lehtësisht. Trajneri ka thirrur në Shqipërinë A futbollistë si Broja, Kumbulla, Bare dhe Selahi. Jam i sigurt që tifozët shqiptarë do të shohin disa prej nesh me ta në vitet e ardhshme dhe kush e di se çfarë mund të arrijmë së bashku, ashtu si fundja e dëshmuam edhe me Austrinë.
Po sa i përket karrierës tënde personale Geraldo, do të vazhdosh të jesh pjesë e Birminghamit?
Unë jam gati 21-vjeç dhe duhet të luaj në çdo ndeshje tani. Futbolli në Angli është shumë konkurrues dhe kjo dihet. Jam në vitin e fundit të kontratës sime dhe do të doja që të qëndroja pasi është qyteti ku kam lindur. Megjithatë nëse nuk e shoh veten duke luajtur, atëherë do të largohem diku tjetër si huazim apo përgjithmonë. /Sport Ekspres/