Nga Klaudio Ndreca
Shqipëri-Poloni do të jetë sfida e madhe që zhvillohet në “Air Albania”. Lewandowski dhe shokët e tij të skuadrës do të kërkojnë që të kapin trenin e fundit për vendin e dytë, teksa një humbje do t’i nxirrte nga gara. E njëjtë paraqitet situata edhe për Shqipërinë, por nëse ne do ia dalim, kjo përkëthehet njëkohësisht edhe në lënien jashtë kompeticionit më të rëndësishëm botëror të sulmuesit më të mirë në Europë. Pak të quhet “çmenduri”!
“Sport Ekspres” ka intervistuar gazetarin polak, Marek Bobakowski, i cili është pjesë e një prej mediave më të ndjekura në vendin e tij, “WP SportoweFakty”. Bobakowski shprehet se nuk mund të ketë një paralelizëm mes Armando Brojës dhe Lewandowski-t, pasi janë këta dy lojtarë që po tërheqin Kombëtaret respektive drejt vendit të dytë. Gjithashtu nuk ka dyshime se atmosfera në Air Albania, me biletat e shitura në vetëm pak ditë, nuk do t’i trembi polakët e mësuar edhe me më shumë tifozë.
A jeni befasuar nga mënyra sesi Shqipëria luajti në Varshavë ndaj Polonisë?
Unë gjithmonë shoh se çfarë ndodh në futbollin e Europës. Gjithsesi, nuk mund të them se jam surprizuar nga loja e Shqipërisë. Por duhet të pranoj se Shqipëria ka zhvilluar një ndeshje të madhe në Varshavë. Dua të them se ju keni krijuar më shumë aksione të rrezikshme, ju keni dominuar në fushë për një kohë të gjatë. E keni prezantuar veten shumë lartë. Ka qenë një nga ndeshjet më të mëdha që keni realizuar në vitet e fundit.
Nëse Polonia nuk do të kishte Lewandowski-n, sinqerisht, sa mendoni se mund të ishte rezultati i atij takimi?
Po sigurisht, Lewandowski, si gjithmonë dhe ne fitojmë. Ky është roli i tij. Është lojtari që na udhëheq. Nëse nuk do të ishte në fushë? Përse kjo teori? Ai ishte dhe na ndihmoi për të marrë tre pikët, shumë të rëndësishme për kalimin në Botëror.
Ju keni Lewandowskin, ndërsa Shqipërinë po e udhëheq një tjetër lojtar, Armando Broja. E keni parë më herët?
Po e kam ndjekur dhe më parë pasi jam tifoz i futbollit të Premier League dhe i Southampton, që nga ditët kur ka luajtur legjenda Mattheë Le Tissier. Pra e njihja Armando Brojën. Është i ri dhe shumë i talentuar. Ka gjithë të ardhmen përpara. I kryqëzoj gishtat që të ketë të ardhme të ndritur.
Por…është e vështirë që ta krahasosh me Lewandowski. Është lojtar botëror që ka thyer gjithë rekordet. Lewandowski kur ishte në moshën aktuale të Brojës po kryesonte në listën e golashënuesve në futbollin polak dhe kaloi te Dortmund që dëshmoi aftësitë e tij.
Në Air Albania kemi “Sold-Out”, janë shitur të gjithë biletat. Askush nuk e vendos në dyshim profesionalizmin dhe ekipet se ku luajnë lojtarët e Polonisë, të mësuar me presion. Por a do të ndikojë atmosfera në “Air Albania?
Sigurisht që atmosfera që do të krijojnë tifozët do të shtojë forcën tuaj, pa diskutim. Nga ana tjetër, lojtarët tanë luajnë çdo javë në stadiume me 50.000, 70.000 tifozë, ndoshta dhe më shumë. E dinë sesi tia dalin në atmosfera të tilla dhe ajo që do të krijohet në Shqipëri nuk do të na frikësojë ne, do të luajmë edhe më mirë.
Nëse do të jepje një parashikim për sfidën e nesërme, përjashton kategorikisht dështimin?
Do të jetë ndeshje kyce për kualifikimin në Botëror dhe vendin e dytë. Ne nuk mund të dështojmë dot, kjo është baza. Por kjo nuk do të thotë se ne do të shënojmë gol dhe do kthehemi në mbrojtje, për të provuar vetëm me kundërsulm. Jo! Sousa e pëlqen lojën sulmuese, krijimin e rasteve, ua kërkon lojtarëve këtë gjë. Për këtë arsye mendoj se do të shënohet më shumë se një gol. Si një specialist, gazetar dhe mbështetës i Polonisë, mendoj se do dalim me fitore nga transferta e vështirë. Me gjithë respektin për ju, që po luani vërtet shumë mirë, ne do të fitojmë 2-1. /Sport Ekspres/