Ekskluzive/ “Kolela më shkruante gjatë gjithë ndeshjes”, Elton Marini: Skuka duhet të jetë në Kombëtare, kisha besim që shënonte

Partizani u përfaqësua në Kombëtare me 4 futbollistë. Dy prej tyre e nisën si titullar miqësoren e sotme ndaj Armenisë, Skuka dhe Hadroji. Sa i përket të parit, arriti të shënonte edhe golin e parë me kuqezinjtë. Aktivizimet e Skukës, Hadrojit, Carës dhe Bitrit me Shqipërinë janë një burim kënaqësie për Partizanin. Këtë e pranon edhe Elton Marini. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, drejtori sportiv i klubit kryeqytetas ka treguar gëzimin që në ambientin e Partizanit është ndjerë, ndërsa më pas përqendrohet te dyshja e sulmit Skuka-Cara.

“Kënaqësi e paparë. Jam shumë i kënaqur, por trajneri ynë është më i kënaquri. Tregon që kemi punuar mirë deri tani të gjithë si klub. Për Skukën kisha besim që do të shënonte. Ka filluar të jetë më i pjekur edhe në lojën tonë. Për Carën kemi besim total se ia dimë potencialin dhe thjesht e këshillojmë që të maturohet. Trajneri më ka shkruajtur gjatë gjithë ndeshjes. Është i kënaqur për djemtë. Meqë ndodhet në Itali nuk kishte mundësinë të ishte në stadium, por e ka ndjekur në televizor”, është shprehur Elton Marini.

I pyetur nga “Sport Ekspres” nëse i ka Skuka aftësitë për të qenë nga tani e tutje pjesë e Kombëtares, drejtori sportiv i Partizanit është përgjigjur: “Duhet të jetë, sepse është një sulmues me karakteristika të veçanta. Edhe për të treguar që Superiorja nuk duhet lënë pas dore, sepse prodhon futbollistë“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *