Nga Klaudio Ndreca
Një trajner i suksesshëm dallohet në arenën e vërtetë, atë europiane. Në këtë drejtim Shpëtim Duro ka qenë për vlerësim maksimal duke rrëmbyer shumë herë vëmendjen e të gjithë shqiptarëve me paraqitje fantastike që ka pasur në vitet e fundit. Partizani dhe Tirana pompoheshin më shumë mediatikisht, por pas eliminimeve të tyre, Laçi mbante flamurin e Superiores.
Duro nisi një tjetër eksperiencë, te Egnatia. Ekipin do ta merrte nga vendi i fundit për ta dërguar në zonën europiane, ku më pas erdhi papritur largimi. Një histori e shkuar, por thuhet se pas çdo gjëje të keqe vjen një e mirë dhe asgjë nuk ndodh pa arsye. Ky është rasti i Shpëtim Duro që nisi menjëherë aventurën e re te Struga në Maqedoninë e Veriut. Trajneri shqiptar e shpalli kampion këtë ekip për herë të parë në historinë e klubit dhe njëkohësisht e ka dërguar në finalen e Kupës.
Një sulmues matet me gola të shënuara dhe një trajner matet me trofe. Duro ka treguar edhe njëherë tjetër se e di recetën sesi skuadra mund të shkojë drejt arritjeve të mëdha. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, trajneri krenohet me të drejtë për faktin se ka marrë në merkaton e janarit dy futbollistë si Redi Kasa dhe Dëamena që nuk janë vetëm lojtarët e spikatur të Egnatias, por më të mirët e Superiores.
I dhe Strugës për herë të parë në histori titullin kampion. Çfarë ndjesie të lë ky sukses dhe me cilin nga sukseset e tua të mëparshme do ta krahasoje këtë moment?
Ky është sukses historik dhe unik. Struga është një ekip modest që ka 3 vite që milion në Ligën e Parë të Maqedonisë dhe 8 vite që është krijuar si skuadër. Si titull e krahasoi me titullin e parë që fitoi Skënderbeu në drejtimin tim. Atëherë Skënderbeu ishte pa traditë në fitimin e titullit dhe pas atij suksesi, u hap rruga e suksesit. E krahasoj me titullin e parë të Skënderbeut.
Sa e vështirë është që të shpallësh kampion një skuadër që nuk ka shkuar asnjëherë më parë kaq larg, pra që nuk e ka stofin e kampionit? E besuat që nga momenti i parë që shkelët në Strugë?
Dihet që me ekipe pa emër dhe traditë në fitimin e trofeut, puna është shumë herë më e vështirë. Shkëndija dhe Shkupi ishin rivalë kryesorë, kishin më shumë eksperiencë se ne dhe buxhet katër apo pesë herë më të madh se ne. Është një rast jo vetëm historik, por edhe unik, i veçantë. Ne jemi në finale të Kupës së Maqedonisë, nëse do të fitojmë edhe aty do të jetë rast i veçantë në futboll.
Tani vjen Europa dhe njihesh si specialist i ndeshjeve të këtij niveli. A mund të arrihet faza e grupeve apo është ende herët për të fantazuar kaq larg?
Kam marrë pjesë në shumë ndeshje ndërkombëtare si trajner, por nuk përcaktohet tani se ku shkon Struga, pa ditur kundërshtarët që ke përballë. Është ndryshe nëse përballesh me kundërshtarë nga Lihteshtejni, San Marino dhe ndryshe kur ke përballë ekipe të nivelit të lartë. Duhet parë shorti dhe pastaj diskuton për objektivet.
Çfarë ndryshimi ka puna e një trajneri në Superiore me atë në Maqedoninë e Veriut në lidhje me qetësinë dhe presionin e drejtuesve?
Unë jam një trajner që gjatë gjithë jetës sime kam pasur mendime të pavarura. Gjithmonë kam qenë bashkëpunes me stafin teknik dhe për këtë arsye kam pasur suksese. Ndonjë konflikt e kam pasur me drejtuesit kur ndërhyjnë në momentin jo të duhur në aspektin teknik. Te Struga ka shumë qetësi në këtë aspekt, nuk ka fare ndërhyrje, unë jam Zot i punës. Kur një trajner punon në qetësi dhe rezultatet do të vijnë me patjetër. Kam 25 vite si trajner, kam punuar me shumë ekipe dhe në çdo vend që kam punuar, nuk kam ndryshuar kurrë mënyrën e punës time profesionale. Puna e trajnerit duhet të jetë e njëjtë dhe profesionale.
Të ka ngelur ndonjë peng nga ajo aventurë e fundit me Egnatian dhe mënyra sesi përfundoi historia?
Nuk më ka ngelur peng. Kur e gjykon me qetësi dhe realitet, nuk më ka ngelur peng. Profesionalisht jam shumë i qetë për punën që bëra te Egnatia. Punova tre muaj, e gjeta ekipin në situatë jo të mirë, në vendet e fundit dhe kur ika pas tre muajsh, e lashë Egnatian në këtë vend që është sot. Ndihem i qetë për punën që bëra te Egnatia duke pasur parasysh që isha unë që përgatita ekipin në janar dhe solla afrimet e reja, insistova shumë për të ardhur Dwamena dhe Redi Kasa. Këta dy lojtarë kanë rritur dukshëm nivelin e ekipit, prandaj jam i qetë. Kam investuar te ky ekip dhe dua që Egnatia të arrijë objektivat. Ndoshta ndodhi shumë më mirë se unë sot flas në gjuhën e një kampioni, për t’i dhënë përgjigje ndonjë skeptiku apo të paafti, që duket sikur dinë çdo gjë rreth futbollit, por janë analfabet.
Më shumë do të shijonte një titull kampion i fituar në Superiore tani apo ky i ftuar me Strugën për herë të parë për ta në Maqedoninë e Veriut?
Të gjithë titujt shijojnë njësoj. Maqedonia e Veriut ka qenë pjesëmarrëse në Europian, shumë lojtarë që luajnë në kampionat vendas luajnë edhe në Kombëtare. Maqedonia e Veriut është mbrapa në krahasim me Shqipërinë nga infrastruktura dhe mediat. Titulli për një trajner është njësoj. Unë gëzohem për faktin se kam arritur sukses me ekipe modeste si Struga tani, Skënderbeu i titullit të parë, jo ky i tanishmi, apo edhe Besa e 2010 që ishte ekipi më i mirë në histori. Më i miri ndoshta nuk mund ta them, por më i suksesshmi. Kishte ardhur koha për titullin kampion, e tentova disa herë me Laçin. Ndoshta nuk e kisha menduar që ky sukses do të vinte me Strugën në Maqedoninë e Veriut.