Ekskluzive/ “Kanë pyetur edhe për Vasil Shkurtajn”, Luga tregon bisedën me trajnerët e Al Qadsias: Trashin ua ka falë Zoti!

Nga Klaudio Ndreca

Një largim i bujshëm do të vinte në mbrëmjen e djeshme atje ku Lorenc Trashi zgjodhi të përfundonte aventurën me Partizanin. Ekipi i ri i mbrojtësit shqiptar do të ishte edhe më surprizues pasi bëhet fjalë për Al Qadsias, që është klubi më i madh në Kuëait, por sigurisht që aspak i dëgjuar në Europë.

Kjo skuadër drejtohet nga ana e Pablo Francos, që ka qenë edhe asistent te Reali i Madridit deri në 2 nëntor të vitit 2018. Ndërkohë ndihmësi i tij në ekipin e Kuwaitit është Albert Saura, që më herët ka qenë edhe në Kinë.

Atje ka njohur edhe trajnerin shqiptar që po stërvit të rinjtë e Shenzenit, Ergys Lugën. Ky i fundit nuk ka ngurruar që t’i shpreh vlerësimet më të larta për goditjen e bërë në merkato, megjithëse për “Sport Ekspres”, Luga zbulon se më parë ka qenë edhe Shkurtaj në radarin e këtij ekipi.

“Saura më ka pyetur më parë edhe për Vasil Shkurtajn, duke më thënë se ishte në radarin e Al Qadsias. Nuk e di se përse nuk ka pasur zhvillime të kontakteve mes tyre. Sapo e mësova lajmin për Trashin, i shkruajta për t’i thënë se duhet të dinë ta përshtasin, ndërsa kanë marrë mbrojtësin e majtë më të mirë në Shqipëri. Ua ka falë Zoti atë lojtar”, u shpreh Luga. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *